20/04/2024
Republika e Kosovës ka arritur një moment historik përmes pranimit të vlerësimit kreditor BB- me perspektivë të qëndrueshme nga agjencia ndërkombëtare për vlerësimin kreditor "Fitch". Vlerësimi nënvizon sektorin financiar të Republikës së Kosovës të qëndrueshëm dhe shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt progresit të sistemit financiar me efekte pozitive në zhvillimin ekonomik.
Vlerësimi i "Fitch" nënvizon themelet e forta të sektorit bankar të Republikës së Kosovës, duke e njohur qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e saj përgjatë sfidave të ndryshme financiare globale. Pikat kryesore të vlerësimit përfshijnë:
Themelet e qëndrueshme të Sektorit Bankar: Sektori bankar i Republikës së Kosovës është vlerësuar për kapitalizimin e fortë, me kapitalin e klasit të parë që arriti në 13.9% të aseteve të peshuara me rrezik në fund të vitit 2023. Përveç kësaj, sektori bankar vlerësohet për kthimin në ekuitet prej 19.9% dhe treguesin e mbulimit me likuiditet prej 2.8 herë më të lartë se kërkesat rregullatore.
Pronësia e Jashtme dhe Standardet Prudenciale: Me një pjesëmarrje prej 84% të aseteve të sektorit bankar në pronësi të huaj, kryesisht nga bankat me origjinë nga Bashkimi Evropian, institucionet financiare të Republikës së Kosovës përfitojnë nga standardet e larta prudenciale dhe ekspertiza ndërkombëtare. Pronësia e jashtme përforcon stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit.
Raporti i Kredive Jo-Performuese (NPL): Treguesi i kredive jo-performuese është shumë i ulët, duke rënë më tej në 1.9% në fund të vitit 2023, ku kreditë jo-performuese janë të provizionuara plotësisht, dhe tregojnë për një cilësi të lartë të portfolios kreditore në kuadër të sektorit bankar.
Rritja e Kreditimit: Republika e Kosovës ka mbajtur një rritje të qëndrueshme nominale të kreditimit, me një mesatare prej afërsisht 15% në dy vitet e fundit, që tregon për një mjedis të favorshëm financiar që mbështet rritjen ekonomike.
Vlerësimi më tej thekson se përkundër ngritjes së normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane, në Republikën e Kosovës është manifestuar një efekt i pjesshëm i reflektimit në normat e interesit në depozita dhe kredi.
Ky vlerësim kreditor ri-konfirmon angazhimin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për të nxitur një sistem financiar të qëndrueshëm dhe dinamik, duke vendosur kështu një bazë për rritjen ekonomike të qëndrueshme. Vlerësimi i tille për stabilitetin financiar të Republikës së Kosovës dhe Praktikave Prudente bankare pozicionon vendin favorshëm në nivel ekonomik global.