06/12/2012
Fjalim i Guvernatorit Gani Gërguri në Konferencë organizuar me rastin e Avancimit të Regjistrit të Kredive të Kosovës, 06 dhjetor 2012, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)
I nderuar Zëvendësdrejtor i USAID,
Të nderuar përfaqësues të FMN dhe Bankës Botërore,
Të nderuar eskpertë të Thesarit Amerikan,
I nderuar Kryetar i Bordit të BQK,
Të nderuar përfaqësues të Projektit BEEP/USAID
Të nderuar përfaqësues të institucioneve financiare, të mediave
Zonja dhe zotërinj
Sot po shënojmë një ngjarje të veçantë për sektorin financiar të Republikës së Kosovës. Po lansojmë versionin e avancuar të Regjistrit të Kredive të Kosovës i cili falë mbështetjes financiare dhe ekspertizës së USAID si dhe përkushtimit të punonjësve të Bankës Qendrore do të përsos më tej këtë shtyllë kyçe të sektorit financiar të Republikës së Kosovës – shtyllë kjo e cila ka siguruar profilin aktual mirë të kapitalizuar, likuid e profitabil të sistemit bankar si dhe ka kontribuar të ecim në hap me vendet e zhvilluara duke renditur Treguesin e Marrjes së Kredisë në vendin e 23 në kuadër të Programit të Bankës Botërore mbi “Të bërit biznes”.
Në fakt, para se të nisja së shkruari këtë fjalim në mendje më silleshin dy gjëra: sëpari,sfidat e para kur patëm filluar projektin e realizimit të Regjistrit të Kredive në vitin 2005, ndër to edhe ajo ku secili kredidhënës donte të ketë krejt informacionin e tjetrit duke harruar se ajo nënkuptonte edhe dhënien e krejt informacionit edhe për vetëvetën, dhe së dyti, një fjalim të cilin e kisha mbajtur në maj të vitit të kaluar në një seminar që kishte për temë mu Regjistrin e Kredive të Kosovës, fjalim ky i cili më lehtëson të ritheksoj gjërat në vijim.
Rreth nevojës për Regjistrin e Kredive (RK) mund vetëm të ritheksoj se përvojat e të gjitha vendeve me RK të avancuar vërtetojnë kontributin domëthënës të RK në rritjen e kredidhënies dhe në sigurimin e stabilitetit financiar. Disponimi me informacion adekuat është krucial për marrjen e vendimeve për kredidhënie të shëndoshë. Sidomos, në dekadën e fundit, RK ka filluar të jetë në qendër të vëmendjes së ekonomive si në zhvillim ashtu edhe të atyre të zhvilluara, marrë parasysh ritmin e shpejtë me të cilin po ndryshojnë sistemet bankare dhe atë të avancimit të teknologjisë. Thjeshtë, RK po paraqitet si një përgjigje institucionale e pazëvendësueshme në zvogëlimin e asimetrisë së informacionit.
Kjo ndërlidhet me rolin krucial që RK e ka në kultivimin e praktikave dhe kulturës së financimit të përgjegjshëm duke ofruar informacionin e duhur mbi aplikuesin për kredi dhe vendimmarrjen e duhur mbi lejimin e kredisë dhe rrjedhimisht minimizimin e gjasës për dështim të kredisë. Regjistri i Kredive luan rol krucial edhe në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve nga stërngarkimi eventual me kredi si dhe në hapjen e mundësive për kredi edhe për klientë të vegjël që nuk kanë ndonjë histori kreditore paraprake.
Në esencë, zgjerimi i bazës së këmbimit të informacionit përmirëson qasjen në kredi nga ana e individëve dhe bizneseve. Në veçanti, një RK i avancuar u mundëson pikërisht bizneseve të vogëla të rrisin mundësitë e tyre për kredi, sepse aty zakonisht kemi një asimetri informacioni më të theksuar dhe shpeshherë një përzierje të financave personale me ato të ndërmarrjes. Pra, këmbimi i plotë i informacionit përmirëson dukshëm dhënien e kredisë sepse shkurton kohën e procesimit të aplikacionit për kredi, pastaj zvogëlon gjasat për dështim dhe me këtë zvogëlon edhe kreditë e këqija. Mbit ë gjitha, zvogëlon vetë koston e kredisë.
Krahas synimit parësor për përmirësimin e qasjes në kredi, promovimit të konkurrencës dhe me këtë edhe zvogëlimit të mëtejmë të normave të interesit, BQK-ja ka investuar në zhvillimin e RK sepse në rastin tonë ky regjistër paraqet edhe një mekanizëm tepër të rëndësishëm për forcimin e rolit mbikëqyrës të BQK, pastaj përmirësimin e analizave makroekonomike si dhe përshtatjen me kohë të rregullativës bankare.
Unë e thashë në fillim se RK është një përgjigje institucionale ndaj çështjes së asimetrisë së informacionit në tregun e kredisë. Madje, nisur nga një parim i njohur se parashikuesi më i mirë i sjelljes në të ardhmen është sjellja në të kaluarën, del se RK ka një rol të pazëvendësueshëm.
Megjithatë, RK nuk mund te jetë çelës i vetëm i zgjidhjes së të gjitha problemeve ndërlidhur me tregun e kredisë. Cështjet si lënia peng e kolateralit dhe mundësia e ekzekutimit efikas të tij, pastaj zbatimi me përpikëri i standardeve të kontabilitetit dhe auditimit dhe zvogëlimi i informalitetit në ekonomi, paraqesin infrastrukturë të rëndësishme të cilën huadhënësit e marrin në konsideratë me rastin e skanimit të profilit të klientëve të tyre. Në esencë, konsolidimi i mëtejmë ligjor i infrastrukturës së informacionit pritet të mbështes rritjen si të vëllimit ashtu edhe të cilësisë së portofolit kreditor në ekonominë e vendit tonë.
Një kredi e lejuar në bazë të informacionit adekuat e kryen misionin e vet kur përdoret për destinimin e kontraktuar dhe kur kthehet sipas itinerarit të dakorduar dhe kjo është mënyra më e drejtë për të zvogëluar rrezikun kreditor, zvogëlim ky i cili duhet të reflektojë edhe në zvogëlimin e normës së kamatave në tregun e kredisë duke kontribuar kështu në atë çka është e shkruar në këtë pano para jush ku e tërë harta e vendit është e markuar me moton – të maksimizojmë rritjen ekonomike në Kosovë, për çka edhe njëherë i falënderohemi shumë USAID për këtë mbështetje shumë të dobishme.
Krejt në fund dua të ritheksoj se sektori financiar i Kosovës po zhvillohet qendrueshëm dhe se BQK po e demonstron ruajtjen e objektivit të saj primar që është ruajtja e stabilitetit financiar në vend, duke u përkujdesur që institucionet financiare të ushtrojnë afarizëm të shëndoshë, si dhe duke krijuar infrastrukturën e nevojshme për operim të sigurtë dhe efikas. Kjo konsideroj se paraqet mënyrën më të mirë për të siguruar një sektor financiar që i shërben në formën më të mirë ekonomisë së vendit.
Ju falemnderit!