27/06/2019
Raporti i Stabilitetit Financiar (RSF) ofron një pasqyrë të rreziqeve potenciale për stabilitetin financiar në vend, gjithmonë në funksion të sigurimit të objektivit parësor të BQK-së, ruajtjes së stabilitetit financiar përmes identifikimit dhe vlerësimit të rreziqeve që kanosin sistemin financiar dhe infrastrukturën e tij.
Raporti synon jo vetëm ta informojë publikun mbi pozitën e stabilitetit financiar në vend, por edhe të ngrisë transparencën dhe nxisë debatin profesional mbi zhvillimet dhe sfidat e sistemit financiar të vendit dhe infrastrukturës së tij.
Në vitin 2018, kryesisht zhvillimet me ndikim në stabilitetin financiar ishin të favorshme, duke ndikuar që sistemi financiar të vazhdoj të karakterizohet me qëndrueshmëri.
Sektori bankar vazhdon të karakterizohet me stabilitet të lartë, bazuar në nivelet e kënaqshme të treguesve të performancës dhe shëndetit financiar.
Indeksi i agreguar i rrezikut të sektorit bankar ka shënuar rritje të lehtë krahasuar me vitin paraprak, i ndikuar kryesisht prej dinamikës së rrezikut të solvencës.
Rezultatet e analizës stres-test sugjerojnë kapacitet të lartë të sektorit bankar për të përballuar tronditjet e mundshme në portfolion kreditore dhe atë të likuiditetit nën supozimin e disa skenarëve hipotetik të moderuar si dhe atyre më të rënduar.
Performanca e sektorëve tjerë përbërës të sistemit financiar u karakterizua me disa luhatje jo të favorshme, megjithatë nuk paraqesin rrezik për stabilitetin financiar.
Sektori pensional gjatë vitit 2018 u karakterizua me rritje më të ngadalësuar të aseteve dhe kthim negativ në investime si pasojë e luhatjeve negative në tregjet e jashtme financiare, ku ky sektor ka ekspozim të lartë.
Tërheqja nga tregu e një prej siguruesve jetë u reflektua në zvogëlimin e aseteve të sektorit të sigurimeve në vitin 2018. Megjithatë, ky sektor mbylli edhe këtë vit me rezultat pozitiv financiar.
Përderisa, me rritje të përshpejtuar të aktivitetit dhe performancë të lartë është karakterizuar sektori mikrofinanciar.
Pritjet për vitin 2019 janë që rritja ekonomike të përshpejtohet lehtësisht, duke krijuar rrethana të favorshme për vazhdimin e rritjes së kreditimit të qëndrueshëm dhe mbështetjen e stabilitetit të profitabilitetit dhe kapitalizimit të sektorit bankar.