04/10/2023
Sipas kalendarit të publikimeve BQK publikoi statistikat e Bilancit të Pagesave (BP) për muajin korrik 2023, Pozicioni i Investimeve Ndërkombëtare, Borxhi i Jashtëm i Kosovës dhe Llogaritë Financiare për tremujorin e dytë 2023 (https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/).
Bilanci i pagesave deri në fund të korrikut 2023 u karakterizua me një deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 450.2 milionë euro (584.7 milionë euro ishte deficiti deri në korrik 2022).
Bilanci tregtar në mallra deri në korrik 2023 kishte deficit në vlerë 2.47 miliardë euro, që është pothuajse në të njëjtin nivel krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, por me një përkeqësim të lehtë (deficit më i lartë prej 3.8%). Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 6.2 % dhe shënoi vlerën 498.3 milionë euro (531.2 milionë euro ishte deri në korrik 2022). Ndërsa, importi i mallrave shënoi rritje të lehtë prej 2.0 % duke arritur vlerën 2,963.5 milion euro (2,906.3 milionë euro ishte deri në korrik 2022).
Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, deri në korrik 2023 shënoi vlerën 835.9 milionë euro, e cila paraqet rritje për 166.5 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Të ardhurat parësore deri në korrik 2023 shënuan bilanc pozitiv prej 58.2 milionë euro, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar si vlerë kumulative kishte vlerën 77.2 milionë euro. Kjo paraqet një rënie rreth 25% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa nëse e krahasojmë vetëm korrik 2022 me korrik 2023, vërejmë se këtë vit kemi kalim nga bilanci negativ në atë pozitiv, duke arritur në 12.7 milionë euro në muajin korrik.
Llogaria e të ardhurave dytësore mbetet kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në korrik 2023 kjo llogari shënoi rritje prej 7.4% apo 77.1 milionë më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, duke arritur vlerën 1,121.0 milionë euro (1,043.8 milionë euro ishte bilanci pozitiv deri në korrik 2022).
Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në korrik 2023 shënoi 753.9 milionë euro, që paraqet rritje prej 84 milionë euro ose 12% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Asetet në llogarinë financiare deri në korrik 2023 ishin 400.4 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare kanë shënuar vlerën prej 566.7 milionë euro, për të njëjtën periudhë.
Investimet direkte në Kosovë deri në fund të korrikut 2023 ishin për 20 milionë euro më të larta dhe shënuan vlerën 443.3 milionë euro (423.2 milionë euro deri në fund të korrikut 2022), përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 121.0 milionë euro (89.3 milionë euro deri në korrik 2022).
Investimeve në letra me vlerë jashtë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në korrik 2023 janë rritur për 267.3 milionë euro.
Investimet tjera (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në korrik 2023 kanë shënuar vlerë negative 207.0 milionë euro (vlerë negative prej 281.2 milionë euro deri në korrik 2022).
Asetet rezervë deri në korrik 2023 janë rritur për 95.7 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 209.3 milionë euro.
Pozicioni i investimeve ndërkombëtare në tremujorin e dytë 2023, shënoi bilanc negativ të në vlerë 1,739.7 milionë euro. Kjo nënkupton që asetet ndërkombëtare të Kosovës janë më të ulëta se detyrimet ndërkombëtare për këtë vlerë.
Asetet e jashtme në tremujorin e dytë 2023janë rritur për 161.7 milionë euro nga tremujori paraprak duke arritur vlerën 6,801.7 milionë euro. Rritjes së aseteve gjatë kësaj periudhe i kanë kontribuar kategoria e investimeve direkte për 52.6 milionë euro, investimet në letra me vlerë janë rritur për 43.8 milionë euro, investimet tjera janë rritur për 50.6 milionë euro dhe asetet rezervë janë rritur për 14.6 milionë euro.
Detyrimet e jashtme në tremujorin e dytë 2023, krahasuar me tremujorin e parë 2023, janë rritur në vlerë prej 275.0 milionë euro duke shënuar vlerën 8,541.4 milionë euro. Në kuadër të detyrimeve, investimet e huaja direkte në Kosovë janë rritur për 187.8 milionë euro, ndërsa investimet tjera për 87.2 milionë euro.
Borxhi i jashtëm bruto, i cili përfshin borxhin publik dhe privat në fund të tremujorit të dytë 2023, arriti vlerën 3,572.3 miliardë euro i cili shënoi rritje për 112.9 milionë euro krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Kontribuesi kryesor i rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë është sektori privat i cili u rrit për 95.4 milionë euro krahasuar me tremujorin paraprak të këtij viti. Ndërsa borxhi publik pat një rritje prej 17.1 milionë euro.
Borxhi i sektorit publik ka një pjesëmarrje rreth 24% në gjithsej borxhin e jashtëm, vlera e të cilit në fund të qershorit 2023 ishte 841.8 milionë euro. Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i qeverisë, i cili në fund të qershorit 2023 ishte 670.2 milionë euro, me rritje për 19.1 milionë euro.
Borxhi i sektorit privat në fund të qershorit shënoi vlerën 2,730.4 milionë euro.