Publikimi i statistikave për BQK-në (pasqyra dhe bilanci i gjendjes) maj 2024

19/06/2024

Sipas kalendarit të publikimeve, BQK publikoi bilancin e gjendjes, pasqyrën e BQK-së dhe asetet rezervë për maj 2024 (https://bqk-kos.org/statistikat/serite-kohore/).

Asetet e BQK-së në fund të muajit maj 2024 kanë arritur vlerën prej 1.64 miliardë euro, duke shënuar rënie të lehtë prej 0.01% apo për 0.19 milionë euro krahasuar me muajin paraprak, kryesisht si rezultat i zvogëlimit të depozitave të fondeve pensionale dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ndërsa, janë rritur depozitat e Qeverisë së Kosovës, bankave komerciale dhe korporatave publike jo-financiare.

Nga gjithsej asetet, vlera e investimeve në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit deri më 31 maj 2024 ishte 1.15 miliardë euro, e cila krahasuar me muajin paraprak përfaqëson rënie prej 3.51 milionë euro. Prej tyre, investimet në depozita janë rritur për 16.90 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë janë zvogëluar për 20.41 milionë euro.

Depozitat në BQK deri më 31 maj 2024 ishin 1.36 miliardë euro, prej të cilëve 537.16 milionë euro ishin Fondet e Buxhetit të Republikës së Kosovës (Llogaria e Thesarit), 522.65 milionë euro nga bankat komerciale, 169.32 milionë euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe 134.02 milionë euro të tjerat.

Kapitali i BQK deri më 31 maj 2024 ishte 112.59 milionë euro.

Asetet e rezervës ndërkombëtare në fund të muajit maj 2024 shënuan vlerën e 1.29 miliardë eurove, e cila përfaqëson rritje për 43.86 milionë euro krahasuar me muajin paraprak, kryesisht ndikuar nga rritja e depozitave.