Përkrahje e fuqishme për sektorin Financiar të Kosovës

07/09/2012

Prishtinë, 07 shtator 2012
Guvernatori Gani Gërguri ka vizituar sot Prizrenin bashkë zonjën Jane Armitage, drejtoreshë e Bankës Botërore për Evropën Juglindore dhe zotëri Jan-Peter Olters, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Republikën e Kosovës. Me këtë rast ata kanë vizituar lokacionin ku me përkrahjen e Bankës Botërore planifikohet të zhvillohen kapacitetet për sigurimin e Planit të vazhdimësisë së biznesit të BQK-së, përfshirë edhe Qendrën për trajnim dhe edukim financiar.
Guvernatori Gërguri ka nënvizuar se krahas projekteve direkte në fushën e sektorit financiar Banka Botërore po jep kontribut të madh edhe në përmirësimin e ambientit për biznes – përmirësim ky që pritet të rezultojë me rritje të mëtejme të cilësisë së shërbimeve financiare për qytetarët e Republikës së Kosovës. Zyrtarët e lartë të Bankës Botërore dhe Guvernatori Gërguri kanë nënvizuar se Kosova krahas realizimit të rritjes më të lartë të Prodhimit Bruto të Brendshëm në regjion është duke demonstruar njëkohësisht edhe stabilitet financiar dhe fiskal të ekonomisë. Duke vlerësuar rëndësinë e Programit të Vlerësimit të Stabilitetit Financiar të Kosovës i cili,për herë të parë në historinë e Kosovës, do të realizohet gjatë këtij muaji nga ana e ekspertëve të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, zyrtarët e Bankës Botërore kanë konfirmuar gatishmërinë e këtij institucioni për asistencë teknike shtesë për BQK-në dhe sektorin financiar të vendit.