Presidentja Atifete Jahjaga priti guvernatorin e BQK-së, Bedri Hamza

13/01/2014

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, zotëri Bedri Hamza, i cili e njoftoi për punën që institucioni i tij ka bërë gjatë një viti.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, zotëri Hamza, tha se sistemi bankar në Kosovë vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe theksoi angazhimin e institucionit që ai drejton në mbajtjen e këtij trendi pozitiv edhe gjatë këtij viti. Zotëri Hamza e njoftoi Presidenten për aktivitetet bankare në Kosovë, duke theksuar bashkëpunimin edhe me institucionet ndërkombëtare financiare.

Ai tha se do të vazhdohet me forcimin e profesionalizmit të BQK-së në shërbim të një sistemi bankar të qëndrueshëm dhe theksoi domosdoshmërinë e garantimit të klimës së mirë të afarizmit dhe rrjedhimisht edhe të sistemit bankar në vend.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi punën që po bën BQK dhe theksoi nevojën që ky institucion të vazhdojë angazhimin në mirëmbajtjen e stabilitetit financiar të Kosovës. Ajo tha se BQK duhet të vazhdojë të ndihmojë sistemin bankar në Kosovë duke forcuar kapacitetet e saj.