28/09/2011
Guvernatori Gërguri dhe Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, z.Gazmend Luboteni, kanë përfunduar me sukses pjesëmarrjen në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB), në Washington D.C.
Krahas pjesëmarrjes në seancën plenare të Bordit të Guvernatorëve të FMN-së dhe të BB-së, Guvernatori Gërguri dhe Ministri Hamza kanë marrë pjesë edhe në takimin e konstituencës belgo-austriake (anëtare e së cilës është Kosova) si dhe janë takuar edhe me Zëvendësdrejtoreshën e FMN-së, znj. Nemat Shafik.
Delegacioni i BQK-së ka pasur takime me zyrtarë të lartë të FMN-së, të BB-së, të Departamentit të Thesarit dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-ve. Në takim me zyrtarë të lartë të FMN-së, është vlerësuar lartë progresi i arritur në avancimin e kompetencës dhe pavarësisë së BQK-së si dhe angazhimet e saja të deritashme në ruajtjen e qendrueshmërisë së sektorit financiar.
Në takim me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore janë dakorduar veprimet që kanë të bëjë me avancimin e sistemit të sigurimit të depozitave, sistemin e pagesave dhe projektet tjera ndërlidhur me avancimin e infrastrukturës së tregut financiar në Kosovë. Në takim me zyrtarë të lartë të Departamentit të Thesarit të SHBA-ve është vlerësuar progresi në përgatitjen e infrastrukturë për tregun e letrave me vlerë si dhe është dakorduar asistenca teknike në fushën e tregut hipotekar dhe të mbikëqyrjes së industrisë së sigurimeve.