Përfundoi me sukses programi i financuar nga BE për të mbështetur bankat qendrore dhe agjencitë e mbikëqyrjes bankare në Ballkanin

16 dhjetor 2021 – Deutsche Bundesbank, së bashku me 19 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian, përfundojnë programin e financuar nga BE-ja për t'i mbështetur bankat qendrore dhe agjencitë e mbikëqyrjes bankare në vendet kandidate për anëtarësim në BE vendet kandidate potenciale nga Ballkani Perëndimor

Së bashku me 19 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ), Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisionin Evropian, Deutsche Bundesbank mbajti sot ngjarjen përmbyllëse të një programi të financuar nga BE-ja në dobi të Bankës së Shqipërisë, Bankës Qendrore të Bosnjë dhe Hercegovinës, Agjencisë Bankare të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Agjencisë Bankare të Republikës Srpska, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bankës Qendrore të Malit të Zi, Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Kombëtare të Serbisë. Qëllimi i programit ishte t'i forcojë më tej kapacitetet institucionale të institucioneve si përfituese fundore, veçanërisht duke përmirësuar mjetet e tyre analitike dhe të politikave dhe duke transferuar standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare. Bashkimi Evropian (BE) ndau 2 milionë euro për programin nga Instrumenti i tij për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA II).

Gjatë takimit përfundimtar të Komitetit Drejtues të Programit dhe ngjarjes përmbyllëse të organizuar sot nga Deutsche Bundesbank, profesori Joachim Wuermeling, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, nënvizoi: “Ky program është shembull i mirë i një qasjeje vërtet bashkëpunuese nga SEBQ-ja. Duke vepruar kolektivisht dhe njëzëri, SEBQ-ja ka dëshmuar se është partnere e fortë në komunitetin e bankimit qendror dhe është e gatshme t'i mbështesë kolegët tanë nga Ballkani Perëndimor në përpjekjet e tyre për të arritur standardet më të larta për të mirën e ekonomive dhe popujve të tyre.” Z. Florian Hauser, udhëheqës i ekipit në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, nënvizoi: “Programi përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Ai mbështet përgatitjen e bankave qendrore në Ballkanin Perëndimor për integrimin e tyre në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.”

Gjatë një periudhe prej 33 muajsh, Deutsche Bundesbank, 19 banka qendrore kombëtare dhe BQE-ja organizuan një program intensiv trajnimi rajonal mbi çështjet kryesore të bankimit qendror dhe mbikëqyrjes, me 20 ngjarje trajnimi për 360 ekspertë. Trajnimi u fokusua veçanërisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorit financiar dhe përfshirjes financiare, rikuperimit dhe zgjidhjes (ang. "recovery and resolution"), politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, përputhshmërisë dhe integrimit në BE, politikave të qeverisjes, kontabilitetit dhe auditimit të brendshëm. U mbajtën edhe dy seminare të politikave për vendimmarrësit për zgjidhjen e kredive joperformuese dhe çështjet e qeverisjes. Krahas kësaj, programi zbatoi masa dypalëshe dhe punë praktike nga të cilat përfituan gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë kandidate për anëtarësim në BE dhe kandidate potenciale, të cilat u përcaktuan në takimet e Komitetit Drejtues të Programit. Përfaqësuesit e institucioneve përfituese theksuan arritjet e rëndësishme, për shembull në fushat e mbrojtjes së konsumatorit financiar, menaxhimit të rezervës valutore, marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemeve të pagesave, parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, zgjidhjes së institucioneve financiare dhe statistikave.

Pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme që dolën nga pandemia, programi u zbatua me sukses në tërësi. Kjo falë mbështetjes së vazhdueshme të Komisionit Evropian, si dhe qëndrimit mjaft akomodues të të gjithë anëtarëve dhe ekspertëve të përfshirë të programit. Gjatë pandemisë, digjitalizimi dhe mjetet e drejtuara nga teknologjia informative zëvendësuan takimet tradicionale ballë për ballë, por u desh të bëheshin disa sakrifica në ndërveprimin personal dhe ndërtimin e marrëdhënieve.

Programi u realizua nga Deutsche Bundesbank në partneritet me Nationale Bank van België/Banque Nationale de Belgique, Българска народна банка (Banka Kombëtare Bullgare), Česká národní banka, Banka e Greqisë, Banco de España, Banque de France, Hrvatska narodna banka, Banka Qendrore e Irlandës, Banca d'Italia, Lietuvos bankas, Banque centrale du Luxembourg, Magyar Nemzeti Bank, De Nederlandsche Bank, Oesterreichische Nationalbank, Narodowy Bank Polski, Banco de Portugal, Banca Naţională a României, Banka Slovenije dhe Národná banka Slovenska. Banka Qendrore Evropiane ka kontribuar në zbatimin e programit.