16/03/2012
Guvernatori Gërguri ka pritur sot në takim zonjën Jane Armitage, drejtoreshë e Bankës Botërore për Evropën Juglindore dhe zotëri Jan-Peter Olters, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Republikën e Kosovës.
Krahas elaborimit mbi gjendjen aktuale në sektorin financiar të vendit e cila është vlerësuar stabile dhe e shëndoshë, Guvernatori Gërguri ka nënvizuar mbështetjen e fuqishme të Bankës Botërore në zhvillimin e deritashëm të BQK-së, të sektorit financiar dhe të sektorëve dhe institucioneve tjera në vendin tonë. Në veçanti, Guvernatori Gërguri ka nënvizuar mbështetjen e e Bankës Botërore në operacionalizimin e Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë, pastaj atë në avancimin e sistemit të pagesave si në aspektin e legjislacionit (hartimi i Ligjit mbi sistemin e pagesave) ashtu edhe në aspektin e vazhdimësisë së punës dhe të automatizimi të sistemit të pagesave (Projekti i Shlyerjeve Bruto në Kohë Reale). Në takim është diskutuar edhe për përgatitjet e BQK-së lidhur me Programin e Vlerësimit të Stabilitetit Financiar të Kosovës i cili,për herë të parë, do të realizohet nga ekspertë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në shtator të këtij viti.Gjithashtu,në këtë takim është konfirmuar gatishmëria e Bankës Botërore për asistencë teknike shtesë për BQK-në në fushën e fuqizimit të mëtejmë të mbikëqyrjes bankare dhe atë të mbrojtjes së konsumatorëve si dhe të edukimit financiar.