Regjistri i Kredive

Përgatitjet për krijimin e një Regjistri të Kredive, të menaxhuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) filluan në vitin 2004, ku përmes rregullës bankare nr. XXVIII mbi raportimin e kredive u bë i detyrueshëm raportimi i  informacionit kreditor nga institucionet kredidhënëse. Në këtë kohë u nis edhe zhvillimi i një sistemi bashkëkohor  teknologjik  për Regjistrin e Kredive. Ky sistem u finalizua në vitin 2005 ndërsa me emërtimin Regjistri i Kredive të Kosovës (RKK) u fut në përdorim nga fillimi i vitit 2006.

Sipas Rregullës Bankare nr. XXVIII dhe mbështetur në sistemin e zhvilluar të RKK-së, udhëzimet operacionale për RKK-në u lëshuan në të njëjtën kohë.  

Aktualisht në fuqi është “Rregullorja për Regjistrin e Kredive” e cila shfuqizon Rregulloren për Regjistrin e Kredive (24 shkurt 2012). Rregullorja e Regjistrit të Kredive është e plotësuar nga Udhëzimi për Regjistrin e Kredive.

Qëllimi i sistemit të Regjistrit të Kredive është mbledhja dhe shpërndarja e informatave pozitive dhe negative të personave fizikë dhe juridikë, me qëllim të përmirësimit  të procesit vlerësues të klientëve kreditorë si dhe realizimin e funksionit mbikëqyrës të Bankës Qendrore.

Në këtë mënyrë, Regjistri i Kredive ndihmon kredidhënësit për një vendimmarrje të drejtë, brenda një kohe më të shkurtër në mënyrë më të saktë dhe më objektive.