26/02/2016
Një delegacion i BQK-së, i përfaqësuar nga Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare z. Fehmi Mehmeti së bashku me përfaqësues të GIZ-it gjerman, në Frankfurt të Gjermanisë, kanë zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të Autoritetit Federal të Mbikëqyrjes Financiare-BaFin, përkatësisht me Dr. Johannes Engels, Mbikëqyrës Bankar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe përfaqësuesin e Deutche BundesBank Dr. Martin Pontzen Drejtor i Qendrës për Bashkëpunim Teknik të Bankës Qendrore.
Në takimin e zhvilluar në BaFin, Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare z. Mehmeti fillimisht falënderoi Dr. Engels për pjesëmarrjen e tij, në cilësinë e prezantuesit, në Konferencën Rajonale të organizuar nga BQK-ja në bashkëpunim me Organizatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) me temën “Iniciativa për implementimin e shtyllës së dytë të kornizës rregullative të Basel-it: ICAAP/SREP dhe shembujt praktikë”. Po ashtu z.Mehmeti njoftoi përfaqësuesit e BaFin-it lidhur me zhvillimet e fundit të sektorit financiar në Kosovë, si dhe me punët dhe proceset në të cilat është e angazhuar Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në përafrimin e kornizës dhe rregullativës ligjore të BQK-së me standardet dhe parimet e Baselit dhe Direktivat e Bashkimit Evropian.
Dr. Engels njoftoi përfaqësuesit e BQK-së për historikun e BaFin, si dhe bashkëpunimin mes Bafin dhe Deutche BundesBank në mbikëqyrjen e sistemit financiar të Gjermanisë. Në takim me përfaqësuesit e BaFin-it gjerman u diskutua edhe mundësia e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy autoriteteve mbikëqyrëse.
Në të njëjtën kohë, në takimin e zhvilluar me përfaqësues të Deutche BundesBank, Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare z. Mehmeti falënderoi z. Pontzen për pjesëmarrjen dhe prezantimin e tij në Konferencën e organizuar në Prishtinë, si dhe e njoftoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Kosovë. Në takim, përveç tjerash u diskutua lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të BQK-së në seminaret dhe trajnimet e organizuara nga Deutche BundesBank, si dhe gatishmërinë e asistimit në organizimin e seminareve regjionale dhe ofrimin e ekspertëve për shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme. Dr. Pontzen shprehu gatishmërinë e ofrimit të asistencës në zhvillimin e sistemit të raportimeve dhe analizave, si dhe në fushën e dokumentimit të proceseve.
Në fund Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare z. Mehmeti falënderoi Dr. Engels dhe Dr. Pontzen për takimet e frytshme dhe shfaqi gatishmërinë e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin mes autoriteteve mbikëqyrëse.