Një delegacion i BQK-së ka qëndruar për vizitë zyrtare në Turqi

23/07/2010

VIZITA ZYRTARE NË TURQI, 19 -21 korrik 2010

Nga data 19 deri më 21 korrik 2010, një delegacion i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK)  i përbërë nga: z.Nexhat Kryeziu – Zëvendësguvernator, znj. Suzan Dërvari - Drejtore e Drejtoriatit të Licencimit dhe Metodologjisë, si dhe z. Merdian Kukleci – Drejtor i Drejtoriatit të Mbikëqyrjes Bankare, qëndruan për vizitë zyrtare në Turqi. Delegacioni i BQK-së vizitoi Agjensionin e Mbikëqyrjes dhe Rregullimit – BRSA, Bankën Qendrore të Turqisë, Shoqatën e Bankave, Bordin për Tregje të Kapitalit dhe TEB Bankën. Qëllimi i vizitave ishte zgjerimi i bashkëpunimit të ndërsjellë dhe këmbimi i përvojave në mes të institucioneve të Turqisë dhe BQK-së.

Vizita e realizuar në BRSA është pjesë e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar në mes BQK-së dhe BRSA ku në veçanti, vëmendje e veçantë gjatë kësaj vizite iu kushtua shkëmbimit të informatave  mbikëqyrëse dhe rregulluese mbi ecurinë e TEB Bankës që operon në Turqi dhe në Kosovë.

Në përfundim të vizitave , të gjitha institucionet e lartpërmendura, shprehën gatishmërinë që të bartin në Kosovë eksperiencën dhe përvojat e Turqisë përmes ofrimit të trajnimeve dhe formave të tjera  mbështetëse që kanë të bëjnë me sistemin financiar.