Nisja e programit të bashkëpunimit teknik me Bankën Qendrore Evropiane

17/04/2014

Banka Qendrore Evropiane (BQE), me mbështetje të Bashkimit Evropian (BE), ka nisur sot zyrtarisht një program të bashkëpunimit teknik me bankat qendrore të regjionit, duke përfshirë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Bankën e Shqipërisë (BSh) dhe Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë (BPRM).  Ceremonia e nisjes së programit u mbajt në Tiranë me pjesëmarrjen e Z. Yves Mersch, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Z. Clive Rumbold, përfaqësues i Bashkimit Evropian, Z. Bedri Hamza, guvernator i BQK-së, Z. Ardian Fullani, guvernator i BSh-së dhe Z. Fadil Bajrami, zëvendësguvernator i BPRM-së.  Ky program ka për qëllimin përgatitjen e bankave qendrore të vendeve të regjionit për inkuadrim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ).

Programi i bashkëpunimit teknik të Bankës Qendrore Evropiane me bankat qendrore të vendeve të regjionit do t’i ofrojë BQK-së përcaktimin e ndryshimeve në kuadër të përgatitjes për t’iu bashkuar SEBQ-së deri në momentin kur Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.  Programi do ta forcojë kapacitetin institucional të BQK-së duke identifikuar kërkesat ligjore, organizative dhe të resurseve për të arritur përputhshmërinë me kornizën standarde institucionale dhe operacionale të SEBQ dhe BQE.  Në implementim të programit në raport me BQK-në, pos BQE-së, do të përfshihen edhe bankat qendrore të katër vendeve të eurozonës: Austrisë, Italisë, Sllovenisë dhe Portugalisë.  Janë identifikuar shtatë fusha në BQK që kanë për t’u analizuar sa i përket nevojave: 1) Stabiliteti Financiar, 2) Mbikëqyrja Bankare, 3) Sistemet e Pagesave, 4) Integrimi Evropian, 5) Teknologjia e Informacionit, 6) Administrata, dhe 7) Auditimi i Brendshëm.  Është bërë një përfshirje e fushave tradicionale të politikave të bankës qendrore si dhe e fushave mbështetëse dhe teknike, që janë në funksion të nxitjes dhe mbajtjes së një sistemi financiar stabil si objektiv parësor i BQK-së.  

 

Kumtesa e përbashkët.