Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është angazhuar për ofrimin e një kornize rregullative të harmonizuar me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare që kanë për synim të sigurojë cilësi të lartë të raportimit dhe auditimit të institucioneve financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, është shprehur Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, z. Milot Cakaj.

Zëvendësguvernatori Cakaj në fjalën përshëndetëse në konferencën “Përtej Numrave: Fuqizimi i sektorit privat përmes vendimmarrjes së bazuar në të dhëna nga Profesionistët”, bashkëorganizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka shtuar se BQK-ja është e përkushtuar që të avancohet cilësia e auditimit të institucioneve financiare. Kjo duke përfshirë trajnimet dhe certifikimet nga institucionet e specializuara në këtë fushë si dhe përmes miratimit të auditorëve të jashtëm të certifikuar dhe me kompetencë për institucionet financiare që licencon, mbikëqyrë dhe rregullon. Raportet e auditimit janë instrumente me rëndësi në procesin mbikëqyrës që realizojmë. 

Sipas Zëvendësguvernatorit Cakaj, institucioni më i lartë financiar në vend bashkëpunon ngushtë me autoritetin licencues, rregullativ dhe mbikëqyrës të auditorëve dhe firmave të auditimit sikurse është Këshilli Kosovar për Raportim Financiar për të promovuar ngritjen e cilësisë së funksioneve mbikëqyrëse dhe të raportimit financiar, ku sipas ligjit, BQK ka edhe përfaqësuesin e saj në këtë Këshill.

Gjatë kësaj konference, Zëvendësguvernatori Cakaj theksoi se BQK-ja angazhohet që të ketë qasje në të dhëna dhe informacion konkret dhe rishikon aktivitetet e përgjithshme të institucioneve financiare, duke përfshirë ato që realizohen nga palët e treta që mbështesin operacionet e tyre kritike.

Në fund, Zëvendësguvernatori Cakaj është shprehur se të dhënat digjitale ofrojnë përfitime të mëdha krahasuar me metodat tradicionale të raportimit duke ofruar një qasje më të efektshme, të saktë dhe transparente, ndërsa BQK është duke punuar në krijimin e një kornize për zgjerimin e shërbimeve financiare digjitale dhe ekosistemit të FinTech në vendin tonë.

Banka Qendrore e Hungarisë (Magayar Nemzeti Bank – MNB) organizoi në Budapest takim për zëvendësguvernatorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar përgatitjet e nevojshme për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Gjatë këtij takim të mbajtur më 18 nëntor 2024, u diskutuan sfidat me të cilat ballafaqohen bankat qendrore lidhur me përmbushjen e kërkesave të SEPA dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, si dhe roli mbështetës i MNB-së  për këtë proces integrues.

Përfaqësuesit e MNB-së paraqiten përvojën e tyre, duke u fokusuar në aspektet teknike të integrimit në SEPA dhe kornizën e tyre si një model për pajtueshmëri me kërkesat e SEPA, duke përfshirë infrastrukturën dhe operacionet bankare.

Hungaria, e cila kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2024, ka për prioritet mbështetjen e procesit të zgjerimit të BE-së, në veçanti lidhur me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, MNB shprehu zotimin e saj për t’i mbështetur bankat qendrore të rajonit në tejkalimin e sfidave që lidhen me funksionet e bankingut qendror, me fokus mundësimin e pagesave nëpërmjet SEPA dhe procesin e integrimit në zonë.

Procesi i integrimit në SEPA paraqet sfida dhe është mjaftë kompleks si për bankën qendrore ashtu edhe për bankat dhe ofruesit tjerë të shërbimeve të pagesave. Megjithatë, ky proces është një hap thelbësor drejtë integrimit të mëtejmë me BE-në dhe rajonin, si dhe për forcimin e procesit të përgjithshëm integrues me BE-në.

Temat e trajtuara gjatë këtij diskutimi u vlerësuan lartë nga të gjithë pjesëmarrësit, duke e cilësuar këtë një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe me vendet e BE-së, në funksion të avancimit të infrastrukturës financiare dhe ofrimit të shërbimeve financiare më efikase për qytetarët dhe bizneset e rajonit tonë.

22.12.23-1024x683

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Dardan Fusha ka pritur në takim Zëvendësguvernatoren e Parë të Bankës së Shqipërisë, znj. Luljeta Minxhozi.

Në këtë takim të dy Zëvendësguvernatorët diskutuan lidhur me zhvillimet e sektorit financiar në të dy vendet, me fokus avancimin e infrastrukturës së shlyerjes së pagesave dhe letrave me vlerë, si dhe për aktivitetet e dy institucioneve në funksion të realizimit të objektivave të tyre për ndërtimin e sistemeve për procesimin dhe shlyerjen e pagesave të shpejta në vend.


Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy bankave qendrore respektive, Zëvendësguvernatorët Fusha dhe Minxhozi diskutuan lidhur me përgatitjet dhe punën e përbashkët që po bëjnë, si dhe mundësinë në shkëmbimin e përvojave në aspekt të përgatitjes së kornizës ligjore dhe infrastrukturore teknike për projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta të Bashkimit Evropian (TIPS).

Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishin sfidat dhe mundësitë e mbështetjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në platformat e pagesave ndërkombëtare, për çfarë përvoja e Bankës së Shqipërisë dhe mbështetja e vazhdueshme është për t’u vlerësuar.

Znj. Minxhozi shprehu gatishmërinë për mbështetjen e BQK-së në realizimin e objektivave dhe planeve të institucionit më të lartë financiar në vend, si dhe në nismat konkrete, të cilat ndihmojnë lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet dy shteteve tona.

Në fund, z. Fusha shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë në të gjitha nivelet e bashkëpunimit, në rrugëtimin drejtë zhvillimeve të qëndrueshme dhe afatgjata.

bqk-bankofitaly-1024x683

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Dardan Fusha me ekipin e tij priti në takim përfaqësuesit e Bankës së Italisë (Banca d’Italia), z. Gianluca Maddaloni dhe z. Roberto Zuccala, si pjesë e misionit për mbështetjen e BQK-së në fushën e operacioneve me para të gatshme, në kuadër të Programit për Fuqizimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për Integrim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe Banka Qendrore Evropiane (ECB) i financuar nga Bashkimi Evropian.

Qëllimi i kësaj vizite pune dyditore është në mbështetje të BQK-së për avancimin e infrastrukturës ligjore dhe teknike, si dhe praktikave për operacionet me para të gatshme, si vijim i misionit paraprak për këtë qëllim të realizuar në nëntor të vitit 2023, ku u shqyrtua korniza ligjore e BQK-së për çështjen e operacioneve me para të gatshme.

Zëvendësguvernatori Fusha gjatë këtij takimi njoftoi përfaqësuesit e Bankës së Italisë lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, përfshirë planin për avancimin e luftimit të dukurisë së parave të falsifikuara dhe modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të BE-së (SEPA).

Me këtë rast, Zëvendësguvernatori i BQK-së shprehu vlerësimet dhe konsideratat më të larta për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës, me theks të Banca d’Italia ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që përmes projekteve të ndryshme ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe avancimin e shumë proceseve dhe praktikave në kuadër të BQK-së.

Zëvendësguvernatori Fusha përmendi se është sidomos i rëndësishëm ky mision që ndërlidhet me zhvillimet aktuale lidhur me avancimin e kornizës ligjore dhe aktivitetet e ndërmarra në bashkëpunim me institucionet tjera vendore në luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara, si dhe ruajtjen e integritetit të valutës Euro.

Gjithashtu, palët diskutuan lidhur me planet dhe objektivat e BQK-së për digjitalizimin e shërbimeve financiare me fokus uljen e përdorimit të parave të gatshme, në linjë me rekomandimet e takimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave. Në kuadër të këtyre aktiviteteve u diskutua edhe procesi i nisur ndërmjet dy bankave qendrore për të studiuar më hollësisht mundësinë e bashkëpunimit në adaptimin e një zgjidhjeje me Bankën e Italisë, për mundësimin e inicimit dhe shlyerjes së pagesave të shpejta në nivel lokal dhe me objektiv final ndërlidhjen me Sistemin e Pagesave të BE-së (TIPS).

Në fund, z. Fusha shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës së Italisë në të gjitha nivelet e bashkëpunimit, në rrugëtimin drejt zhvillimeve të qëndrueshme dhe afatgjata drejt avancimit të kornizës ligjore dhe infrastrukturës teknike të shërbimeve financiare dhe integrimit me skemën dhe sistemet evropiane të pagesave.

cbk-kas-visa_001-1024x768

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është duke avancuar kornizën ligjore dhe rregullative për pagesat digjitale, ka deklaruar Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare, z. Dardan Fusha në forumin “Pagesave digjitale, sjelljet dhe preferencat e konsumatorëve në Kosovë”, bashkorganizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) dhe VISA.

Zëvendësguvernatori Fusha në fjalën përshëndetëse theksoi se sektori bankar në Kosovë ka bërë përparim të dukshëm në fushën e pagesave digjitale, megjithatë ka ende shumë mundësi për avancim në këtë drejtim. Modernizimi i infrastrukturës së tregut financiar dhe digjitalizimi i shërbimeve janë një ndër shtyllat kryesore të Strategjisë së re të BQK-së.

“Numri i transaksioneve me kartela, i terminaleve ATM dhe POS, perdorimi i kanaleve digjitale, transaksionet në POS, e-banking dhe sherbimet tjera janë rritur dukshem, si rezultat i mundësive dhe progresit nga sektori, pagesat jo-cash arritën në 35 për kokë banori dhe për herë të parë në vitin 2022, transaksionet e pagesave me POS tejkaluan në numër transaksionet me ATM”, theksoi Zëvendësguvernatori Fusha, duke ofruar disa statistika të trendëve dhe ecurisë së këtyre zhvillimeve.

cbk-kas-visa_002-1024x768

“Tregu është hapur për akterë të rinj, duke përfshirë ata të FinTech-ut, në fushën e pagesave dhe emetimit të parave elektronike duke sjellë përfitime dhe më shumë zgjedhje për shërbime për konsumatorët. Këto zhvillime kanë ndikuar edhe në uljen e kostos së remitancave, duke çuar Kosovën nën mesataren rajonale sa i përket kostos së transfereve nga BE-ja”, shtoi Zëvendësguvernatori Fusha.

Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare ka potencuar se BQK-ja është duke avancuar kornizën ligjore të shërbimit të pagesave dhe se po punohet në zhvillimin e infrastrukturës së tregut për të rritur ndërveprimin, sigurinë dhe efikasitetin e pagesave.

“Ne po avancojmë kuadrin tonë ligjor dhe rregullator për të mbështetur këto zhvillime. Draft-ligji i ri për Shërbimet e Pagesave, i harmonizuar me direktivat e BE-së është një hap vendimtar, duke krijuar një mjedis më konkurrues dhe gjithëpërfshirës. Kjo është në përputhje me qëllimin tonë strategjik për t’u bashkuar me Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e cila do të mundësojë që të qasemi në sistemet evropiane të pagesave, përfshirë TIPS. Hyrja në sistemet e BE-së do të lehtësonte tregtinë dhe do të kontribuonte në krijimin e një sistemi efikas, të sigurt dhe më të integruar të pagesave, që do t’i shërbente më mirë nevojave tona për rritje ekonomike”, ka potencuar Zëvendësguvernatori Fusha.

Po ashtu, Zëvendësguvernatori Fusha nënvizoi se zhvillimet e reja teknologjike dhe digjitalizimi sjellin edhe rreziqe shtesë, të cilat kërkojnë fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse.

“Prandaj, BQK në rolin e saj ka parasysh edhe këto aspekte dhe po ndërmerr disa veprime”, u shpreh ai.

“Ritmi i shpejtë i ndryshimit teknologjik sjell edhe rreziqe të reja për sistemet e pagesave. Prandaj, jemi duke punuar vazhdimisht në fuqizimin e mbikëqyrjes së sistemit të pagesave dhe mbrojtjes së konsumatorit. Edukimi financiar i qytetarëve për përdorim të sigurt dhe ofrimi i njohurive rreth rreziqeve të mundshme i fuqizon individët të marrin vendime të duhura, të rrisin besimin e tyre në përdorimin e shërbimeve digjitale dhe i ndihmon ata të njohin dhe shmangin mashtrimet e mundshme”, ka përfunduar Zëvendësguvernatori Fusha.

Në panelin e këtij forumi, Zëvendësguvernatori Fusha para pjesëmarrësve shpalosi disa nga veprimet e fundit të ndërmarra nga BQK, që janë në pajtim me rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Pagesave të dala nga takimi i janarit 2024, me pjesëmarrje të gjerë të gjitha palëve, përfshirë sektorin privat, atë publik dhe skemat ndërkombëtare të kartelave.

stmaboll-1024x681

[Stamboll, 12 Korrik 2024] – Zëvendësguvernatori i BQK-së z. Dardan Fusha, mori pjesë në takimin e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore të organizuara në Stamboll – Turqi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të shteteteve anëtare të Konstituencës si: Austria, Belgjika, Çekia, Hungaria, Kosova, Sllovakia, Sllovenia dhe Turqia.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në nivel global dhe në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), me fokus në ekonomitë e vendeve të Konstituencës, ku bën pjesë Kosova.
Me këtë rast, u diskutua edhe mbarëvajtja e programit të Kosovës me FMN-në, i cili u vlerësua pozitivisht për realizimin e suksesshëm të reformave, si dhe përfitimet konkrete nga instrumentet SBA dhe RSF, që janë pjesë e këtij programi.
Gjithashtu u diskutua lidhur me sfidat aktuale, mundësitë dhe zhvillimet pozitive në uljen e inflacionit, por edhe pasiguritë që vijnë nga tensionet gjeopolitike dhe ndikimi i mundshëm i tyre në fragmentimin e mëtejmë me impakt në tregti dhe në zinxhirin e furnizimeve.
Pjesë e punimeve ishin edhe aspekte të brendshme të organizimit dhe koordinimit të përfaqësimit në Konstituencë, të cilat u mbyllën me pajtim të plotë të anëtarëve.
Si konkluzion nga takimi doli rëndësia e ndërtimit të institucioneve stabile dhe të qëndrueshme, me fokus në një qeverisje efektive dhe me politikbërje të kujdesshme, që mundëson realizimin e reformave të nevojshme për tërheqjen e investimeve të huaja. Njëkohësisht, duke vazhduar drejt tranzicionit për adaptimin e teknologjive të reja për rritje të produktivitetit dhe adaptimit të politikave për mbështetjen e financimit të qëndrueshëm.

IMG_4466_18-July-2024-1024x683

(Prishtinë, 18 korrik 2024) – Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Dardan Fusha dhe ekipi i tij pritën sot në një takim produktiv dhe mirëpritës zyrtarët e Bankës Botërore, të udhëhequr nga Menaxherja e re për Konkurrencë dhe Inovacion Financiar, znj. Martha Martinez Licetti, për të eksploruar mundësitë e rritjes së bashkëpunimit dhe mbështetjes.

Përveç mbështetjes së vazhdueshme të ofruar përmes disa projekteve në proces, diskutimet u fokusuan në vlerësimin e fushave potenciale për angazhimin e Bankës Botërore në sektorin privat dhe financiar, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit me BQK-në. Zëvendësguvernatori Fusha shprehu mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore, duke theksuar kontributet dhe ndihmën e saj të rëndësishme në harmonizimin e rregullativës së Kosovës me Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), adresimin e rreziqeve të lidhura me klimën në sektorin financiar përmes strategjive të financimit të gjelbër, si dhe ofrimin e asistencës teknike në mbikëqyrjen e sigurimeve, funksionet e IT, fushën e përmbylljes dhe fushat të tjera kritike.

Në takim u shqyrtuan gjithashtu mundësi të reja për Bankën Botërore për të ofruar mbështetje të përshtatur për të forcuar më tej iniciativat e BQK-së dhe për të mbështetur sektorin financiar. Temat, përveç tjerash përfshin forcimin e kornizës rregullatore për qasjen në financa, mbrojtjen e konsumatorit dhe zgjidhjet inovative të pagesave.

Të dyja institucionet rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar punën së bashku për të forcuar qëndrueshmërinë financiare dhe për të promovuar përfshirjen financiare dhe rritjen ekonomike në Kosovë.

bqk-amf_01-1-1024x531

Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Milot Cakaj me bashkëpunëtorë ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Republikës së Shqipërisë (AMF).

Zëvendësguvernatori Cakaj gjatë takimit me Drejtoreshën e Përgjithshme Ekzekutive të AMF-së, znj. Mimoza Kaçi diskutoi mbi zhvillimet kryesore në tregun e sigurimeve dhe atë jo-bankar, duke përfshirë avancimin e kornizës ligjore e atë rregullatore dhe shkëmbimin e përvojave në fusha specifike që bien nën fushëveprimin e BQK-së dhe AMF-së.

bqk-amf_02-1-1024x576

Takimi është fokusuar edhe në tema me interes të përbashkët, si qasja ndaj reformave të sektorit të sigurimeve që lidhen me IFRS 17, Solvenca II dhe edukimi financiar.

Drejtoresha Kaçi po ashtu ka shprehur gatishmërinë e AMF-së për të ndarë përvojat dhe dhënë kontributin e tyre në çështjet me interes për BQK-në dhe proceset e saj.

Në fund të takimit, Zëvendësguvernatori Cakaj dhe Drejtoresha Kaçi u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët përmes kolegjeve dhe trupave të përbashkëta.

Takimi në Tiranë është vazhdimësi e vizitës së drejtueses së AMF-së e realizuar në muajin shkurt në BQK, si dëshmi e marrëdhënieve të ngushta ndër-institucionale.

cbk-kba_01-1024x683

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Dardan Fusha së bashku me stafin e BQK-së të dedikuar për përcjelljen e zhvillimeve në fushën e ESG dhe rreziqeve klimatike, morën pjesë në punëtorinë e organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) në bashkëpunim me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), lidhur me mundësitë e adaptimit të udhëzimeve për adresimin e rreziqeve të mjedisit dhe kritereve të ESG në sektorin bankar.

Zëvendësguvernatori Fusha në fjalën e tij hyrëse, theksoi se BQK është e përkushtuar për të avancuar kornizën rregullative dhe për ngritjen e kapaciteteve me qëllim të identifikimit, raportimit, monitorimit dhe menaxhimit adekuat të rreziqeve të lidhura me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Ai prezantoi zhvillimet e fundit të BQK-së në këtë drejtim, duke përfshirë:
• Anëtarësimin në Rrjetin e Bankimit dhe Financave të Qëndrueshme (SBFN) me 15 dhjetor 2023, si një mundësi për qasje në informacione dhe trajnime të avancuara që ndihmojnë ngritjen e kapaciteteve dhe adaptimin e instrumenteve të nevojshme rregullative për sektorin financiar, lidhur me rreziqet klimatike dhe standardet e ESG;
• Nxjerrjen e Udhëzimit për raportimin e ekspozimeve kreditore nga bankat për kompanitë që ekspozohen ndaj kostove të tranziciont, që lidhen me zbatimin e mekanizmit të rregullimit të kufirit të karbonit, i cili kërkon mbledhjen e të dhënave të nevojshme lidhur me këto rreziqe dhe ndikimin e tyre të mundshëm për bankat, me 03 prill 2024;
• Bashkëpunimin e vazhdueshëm me FinSAC (pjesë e Bankës Botërore), lidhur me përgatitjen e Strategjisë për Ndryshimet Klimatike dhe të Ambientit, të parapara edhe me Planin Strategjik të BQK-së 2024-2028 dhe draftimin e Letrës Këshilluese si një udhëzues për bankat lidhur me rreziqet klimatike dhe të ambientit;
• Avancimin e politikave investuese të BQK-së në pajtim me kriteret e pacaktuara për financim të qëndrueshëm; dhe
• Angazhimin e BQK-së në mbështetje të sektorit financiar dhe në ndërtimin e kapaciteteve përmes pjesëmarrjes në konferenca, punëtori, forume me qëllim të zgjerimit të ekspertizës dhe njohurive në fushën e rreziqeve klimatike, por edhe në mbështetje të institucioneve tjera relevante në nderimin e strategjisë kombëtare në nivel vendi.

cbk-kba_02-1024x683

Zëvendësguvernatori Fusha theksoi se lidhur me këto zhvillime pritet që bankat të vlerësojnë saktë ndikimin e rreziqeve të lidhura me klimën dhe atyre mjedisore në mjedisin e biznesit ku ato veprojnë dhe të integrojnë këto vlerësime në biznesin dhe planet e tyre zhvillimore. Pra, të marrin në konsideratë rreziqet e lidhura me klimën dhe rreziqet mjedisore, kur zhvillojnë strategjinë e përgjithshme të veprimtarisë së tyre, objektivat dhe kornizën e menaxhimit të rreziqeve.

Gjithashtu, pritet që bankat të mbledhin të dhëna që pasqyrojnë ekspozimet e tyre ndaj rreziqeve mjedisore në mënyrë që organet udhëheqëse të marrin vendime të informuara, si dhe të publikojnë informacionin e rëndësishëm dhe treguesit kryesor lidhur me rreziqet e lidhura me klimën dhe mjedisin që i konsiderojnë të rëndësishme.

Të gjitha institucionet pjesëmarrëse u dakorduan lidhur me nevojën për një fokus më të madh dhe investime në ngritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin e njohurive lidhur me këtë fushë me rëndësi për sektorin bankar në veçanti, por edhe për sektorin financiar si tërësi, si dhe për sektorët tjerë në nivel vendi.

zvgcakaj_forumi-1024x683

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdon të fuqizojë kapacitetet e brendshme për sa i përket sigurisë kibernetike, ku me këtë drejtim tashmë është krijuar Divizioni i ri për Mbikëqyrjen e Sistemeve Informative, kështu ka njoftuar Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, z. Milot Cakaj në Forumin e Sigurisë Kibernetike Bankare, mbajtur në Prishtinë.

Zëvendësguvernatori Cakaj në fjalën hyrëse ka theksuar se bashkëpunimi midis bankave, veçanërisht ekspertëve do të parandalojë dhe zbus kërcënimet dhe incidentet që ndërlidhen me sigurinë kibernetike.

“Ne duhet të fokusohemi në parandalimin dhe zbutjen e kërcënimeve dhe incidenteve të sigurisë kibernetike. Në kuptimin e ndarjes së informacionit në lidhje me sulmet, dobësitë dhe më e rëndësishmja, zgjidhja e problemeve është vendimtare. Bëhet fjalë për solidaritet dhe aleancë”, ka theksuar Zëvendësguvernatori Cakaj.

elvini_forumi-1024x706

Ai ka shtuar se BQK-ja me ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar është duke zhvilluar Kornizën Rregullative për Sigurinë Kibernetike, duke potencuar se drafti do të shpërndahet për konsultime te të gjithë akterët e sistemit financiar të vendit tonë.

Në përmbyllje të adresimit të tij, Zëvendësguvernatori Cakaj tha se siguria kibernetike ka të bëjë me besimin në sistemin bankar, gjë që sipas tij kjo është baza e stabilitetit të sektorit financiar. Ndërsa në vazhdimësi të punimeve, u diskutua edhe për rolin e sigurisë kibernetike dhe ruajtjen e besimit në sistemin financiar, duke përfshirë edhe pagesat e shpejta dhe avancimet e tjera tek pagesat digjitale. Në këtë panel diskutimi, Udhëheqësi i Divizionit të Mbikëqyrjes së Sistemeve të Informacionit, z. Elvin Mala diskutoj lidhur me sfidat rregullative dhe të pajtueshmërisë, si dhe adresimin e rreziqeve të sigurisë kibernetike ne sektorin financiar