Banka Qendrore e Republikës së Kosovës fton të gjithë opinionin që të mos bien pre e informacioneve të publikuara në rrjetet sociale në lidhje me shitblerjen  bankës TEB sh.a  nga biznesmenët rusë.

Në BQK nuk ka pasur asnjëherë kërkesë për ndërrim të pronësisë së kapitalit aksionar të kësaj banke, e cila që nga fillimi është nën pronësi të BNP Paribas Fortis Yatırımlar Holding A.Ş. dhe Çolakoğlu Group Joint Venture.

Banka TEB së bashku me bankat tjera që janë të licencuara, kanë luajtur dhe po luajnë rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një sistemi financiar të sigurt dhe të shëndoshë, i cili ka kontribuar në rritjen ekonomike të vendit dhe nxitjen e investimeve të jashtme, veçanërisht në sektorin financiar.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës siguron të gjithë qytetarët se i gjithë sektori financiar është i sigurt dhe nuk ka vend për shqetësim.

BQK-ja si mbikëqyrës i sistemit financiar do të vazhdojë të punojë në mbajtjen e një sistemi financiar të sigurt dhe të shëndoshë dhe do të përmirësojë vazhdimisht mjedisin ekonomik, në të cilin industria financiare operon.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 28 tetor 2019,  mori vendim si në vijim: 

  • Vendim për Përzgjedhjen e Auditorit të Jashtëm të BQK-së.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv, si dhe u informua me lidhur me aktivitet e Delegacionit të BQK-së gjatë pjesëmarrjes  në takimet vjetore (sesioni vjeshtor) të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore të mbajtura në Uashington- SHBA.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 shtator 2019,  mori vendimet si në vijim: 

  • Miratimin e Rregullores për  Likuidimin e Siguruesve;
  • Miratimin e Rregullores për Përfitime Pensionale nga Pensionet Plotësuese Individuale;
  • Miratimin e Rregullores për Regjistrin e Kredive;
  • Miratimin e Stemës (logos) së re zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 gusht 2019,  mori vendimet si në vijim: 

  • Miratimin e Rregullores për Qeverisjen Korporative të Bankave;
  • Miratimin e Rregullores për Transaksionet me Personat e Ndërlidhur me Bankën dhe Punëtorët e Bankës;
  • Miratimin e Rregullores për Kamatëvonesën e Instrumenteve Kreditore.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 31 korrik 2019,  mori vendimet si në vijim: 

  • Miratimin e Pasqyrave Financiare të BQK-së për tremujorin e II-të për vitin 2019;
  • Miratimin e Rregullores për Drejtorët dhe Menaxherët e Lartë të Bankave;
  • Vendimin lidhur me Rekomandimin për Emërimin e Auditorit të Jashtëm të Bankës Qendrore.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.

Raporti i Stabilitetit Financiar (RSF) ofron një pasqyrë të rreziqeve potenciale për stabilitetin financiar në vend, gjithmonë në funksion të sigurimit të objektivit parësor të BQK-së, ruajtjes së stabilitetit financiar përmes identifikimit dhe vlerësimit të rreziqeve që kanosin sistemin financiar dhe infrastrukturën e tij. 

Raporti synon jo vetëm ta informojë publikun mbi pozitën e stabilitetit financiar në vend, por edhe të ngrisë transparencën dhe nxisë debatin profesional mbi zhvillimet dhe sfidat e sistemit financiar të vendit dhe infrastrukturës së tij.

Në vitin 2018, kryesisht zhvillimet me ndikim në stabilitetin financiar ishin të favorshme, duke ndikuar që sistemi financiar të vazhdoj të karakterizohet me qëndrueshmëri. 

Sektori bankar vazhdon të karakterizohet me stabilitet të lartë, bazuar në nivelet e kënaqshme të treguesve të performancës dhe shëndetit financiar. 

Indeksi i agreguar i rrezikut të sektorit bankar ka shënuar rritje të lehtë krahasuar me vitin paraprak, i ndikuar kryesisht prej dinamikës së rrezikut të solvencës. 

Rezultatet e analizës stres-test sugjerojnë kapacitet të lartë të sektorit bankar për të përballuar tronditjet e mundshme në portfolion kreditore dhe atë të likuiditetit nën supozimin e disa skenarëve hipotetik të moderuar si dhe atyre më të rënduar. 

Performanca e sektorëve tjerë përbërës të sistemit financiar u karakterizua me disa luhatje jo të favorshme, megjithatë nuk paraqesin rrezik për stabilitetin financiar. 

Sektori pensional gjatë vitit 2018 u karakterizua me rritje më të ngadalësuar të aseteve dhe kthim negativ në investime si pasojë e luhatjeve negative në tregjet e jashtme financiare, ku ky sektor ka ekspozim të lartë. 

Tërheqja nga tregu e një prej siguruesve jetë u reflektua në zvogëlimin e aseteve të sektorit të sigurimeve në vitin 2018. Megjithatë, ky sektor mbylli edhe këtë vit me rezultat pozitiv financiar. 

Përderisa, me rritje të përshpejtuar të aktivitetit dhe performancë të lartë është karakterizuar sektori mikrofinanciar.  

Pritjet për vitin 2019 janë që rritja ekonomike të përshpejtohet lehtësisht, duke krijuar rrethana të favorshme për vazhdimin e rritjes së kreditimit të qëndrueshëm dhe mbështetjen e stabilitetit të profitabilitetit dhe kapitalizimit të sektorit bankar.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 24 qershor 2019,  mori vendim si në vijim: 

– Miratimin e Rregullores për Licencimin, Rregullimin dhe Mbikëqyrjen e Operatorëve të Sistemit të Pagesave.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 maj 2019,  mori vendimet si në vijim: 

–    Miratimin e Raportit Vjetor 2018 të BQK-së;
–    Miratimin e Pasqyrave Financiare të BQK-së për vitin 2018;
–    Miratimin e Pasqyrave Financiare të BQK-së për tremujorin e I-rë për vitin 2019;
–    Miratimin e Rregullores për Llogaritjen e Kufirit Minimal të Aftësisë Paguese, Adekuatshmërisë së Kapitalit dhe Fondit Garantues për Siguruesit Jojetë

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv, Raportin tremujor janar-mars 2019 të Auditimit të Brendshëm, si dhe u informua lidhur me aktivitetet Delegacionit të BQK-së gjatë pjesëmarrjes në takimet e pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore të mbajtura në Uashington.

Takim nr. 10/2019, 26 prill 2019

Bordi Ekzekutiv ka miratuar revokimin e licencës së siguruesit “Insig” Sh.A. Dega Kosovë dhe hapjen e procedurave të likuidimit të detyrueshëm ndaj tij.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 25 prill 2019,  mori vendimet si në vijim: 

  • Vendim për Miratimin e  Rregullores për Riblerje të Letrave me Vlerë me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës;
  •  Vendim për Rialokim të Buxhetit 2019 për Shpenzime Operative.

Gjithashtu, Bordi i Bankës Qendrore u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv dhe Raportin Informues mbi Zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) nga BQK për vitin 2018.