Në Prishtinë u mbajt takimi i sektorit të Sigurimeve Bujqësore në Kosovë

11/07/2017

Me qëllim të prezentimit të Projekti për Sigurime Bujqësore , për të gjitha palët e interesit në Kosovë dhe të krijimit të një platforme për diskutime sektoriale në fushat potenciuale për aktivitetet e përbashkëta, sot në Prishtinë janë mbledhur pjesëmarrës dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqesisë, BQK-së,kompanive të sigurimeve, brokerët,bankat,IMF-të, fermerët dhe IFC-ja. Qëllimi kësaj tryeze është diskutimi dhe debati për të gjeturat e hulumtimeve dhe qëndrimeve rreth krijimit të një partneriteti më të mirë publiko-privat në mënyrë që të kemi një program të qëndrueshëm dhe efektiv të sigurimeve bujqësore në Kosovë. Ministri i Bujqësisë ,Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Memli Krasniqi i ka dhënë mbështjetje të plotë palëve të përfshira në këtë projekt duke potencuar se Ministria që ai drejton do të ofrojë ndihmë në formën e subvencionit për 50% të shumë së primit që siguron produktet dhe kulturat bujqësore, si dhe një mbeshtetje e tillë do të ndikojë gjithsesi në zhvillimin e këtij sektori . Ndërsa zëvëndësguvernatori Fehmi Mehmti u shpreh sektori i agrikulturës është një burim kryesor i jetesës në gjithë botën, veçanërisht për shumicën e vendeve në zhvillim dhe komunitetin e zonave rurale dhe fermerët. Gjithnjë sipas tij në Kosovë, sektori i agrikulturës sot përfaqëson burimin më potencial të zhvillimit ekonomik. Pjesëmarrja e këtij sektori në bruto prodhimin vendor vlerësohet nga 13% deri në 15%, megjithatë rritja dhe zhvillimi i këtij sektori akoma mbetet për t’u dëshiruar. Kjo vlerësohet edhe për faktin se Kosova është një nga importuesit më të mëdhenj të ushqimit në Evropë. Duke pasur furnizim të mjaftueshëm me punë bujqësore, qasje të lirë në tregun e BE-së dhe një klimë relativisht të mirë, sektori i agrikulturës në Kosovë akoma mbetet sektori më atraktiv për rritjen e punësimit, përmbushjen e nevojave të konsumit të brendshëm dhe eksportin e produkteve vendore.
Një sfidë kryesore për sektorin e agrikulturës sot në Kosovë është qasja në financa dhe mbrojtja e rendimenteve bujqësore. Mungesa e qasjes në financa, është një pengesë kyçe për fermerët në përmirësimin e efikasitetit të prodhimeve të tyre dhe adaptimin e teknologjive më të mira për krijimin e avantazheve konkurruese. Vlen të theksohet se përveç financimit dhe subvencionimit të këtij sektori përmes projekteve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe granteve qeveritare, një nga burimet kryesore, i cili ofrohen në formë e mbrojtjes së investimeve nga rreziqet në agrikulturë është edhe sektori i sigurimeve, i cili njëherazi mbikëqyret nga BQK-ja. Ndërsa si sfidë ai përmendi se nga gjithsej portofoli i primeve të shkruara bruto, pothuajse më pak se 1% e primeve përbëhet nga produktet e sigurimit të agrikulturës/bujqësisë. Për rolin e sigurimeve në sferën e produkteve të agrikulturës në tryezën e sotme kanë diskutuar edhe z.Visar Perani, përfaqësues i zyrës së IFC-së për Kosovë, si dhe zyrtarë tjerë të përfshirë gjatë studimit të këtij projekti . U tha nga të gjithë folësit se synimi i projektit është rritja e qasjes në financa për prodhuesit e vegjël dhe të mesëm bujqësor dhe zbutja e rreziqeve që lidhen me financimin e bujqësisë.