Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë u mbajt ligjërata në Universitetin e Prizrenit

29/03/2017

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës kanë mbajtur një ligjëratë me studentët e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, me temën “Projekti i Letrave me Vlerë të Qeverisë së Kosovës”. Në këtë ligjëratë u tha se sistemi bankar në Kosovë është i qëndrueshëm dhe stabil. Ndërsa Zhvillimi i Tregut të Letrave me Vlerë të Qeverisë ka kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës ligjore, institucionale prej së cilës ka përfituar i tërë sistemi financiar. Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare në BQK, Lulzim Ismajli tha se projekti i letrave me vlerë është implementuar në mëyrë të suksesëshme në Kosovë dhe se është shumë i rëndësishëm për funksionimin e një shteti normal. Ky projekt ka qenë edhë është duke u mbështetur nga Departamenti i Thesarit Amerikan. “Për nga ana e borxhit dallojmë dy borxhe atë të brendshëm dhe borxhin të jashtëm. Borxhi i brendshëm është projekti i letrave me vlerë i cili u zhvillua në vitin 2011 në bashkëpunim mes Ministrisë së Financave dhe BQK. Ndërsa borxhi i jashtëm është borxhi të cilin Qeveria e Kosovës e merr kohë pas kohe për projekte specifike që po i implementon në Kosovë. Unë po i përmendi dy projekte të borxhit të jashtëm. P.sh., është projekti i furnizimit me ujë i cili është realizuar për qytetin e Prishtinës ndërsa projekt tjetër ka qenë projekti i ngrohjes qendrore “Termokosit” i cili po ashtu është implementuar për qytetin e Prishtinës, ka thënë ai. “Borxhi i brendshëm deri më tani ka mbërri në 13.5% të bruto produktit të brendshëm. Borxhi është një burim shtesë i të hyrave për Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar ai. Kurse drejtoresha e menaxhimit të mjeteve, Shkëndije Nahi duke shpjeguar rëndësinë e letrave me vlerë theksoi se ankandi i parë ka filluar në vitin 2012, ku pjesëmarrës kanë qenë të gjitha bankat në vend.

“Sa i përket zhvillimit të tregut të letrave me vlerë ankandi i parë është mbajtur në janar të vitit 2012 ku pjesëmarrës kanë qenë të gjitha bankat në Kosovë dhe ky ankand ka filluar suksesshëm dhe të gjitha ankandet pas këtij vazhdojnë të jenë të suksesshme . Sa i përket tregut të letrave me vlerë të Qeverisë infrastruktura ligjore e letrave me vlerë është zhvilluar para fillimit të plasimit të ankandeve”, ka thënë ajo.


Studentët ishin të interesuar të dinin rreth borxhit publik madje kishin edhe pyetje për zëvendësguvernatorin, Ismajli. “Meqenëse buxheti i Kosovës është aprovuar në vlerën prej dy miliardë euro supozojmë se këtë vit norma e rritjes ekonomike do të ketë deficit dhe me mbulimin e këtij deficiti sa do të rritet përqindja e borxhit të përgjithshëm të brendshëm dhe a mund të tejkalohet norma e lejuar prej 20 për qind e GDP-së. Sa do të jetë shteti likuid në këtë”, pyeti studenti Fisnik Haziraj. Zëvendësguvernatori duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve tha se në bazë të ligjit për borxhin publik, Qeveria e Kosovës lejohet të hyj në borxh deri në 40 për qind të bruto produktit vendor.