BQK fillon shënimin e Javës Ndërkombëtare të Parasë

21/03/2022

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka filluar shënimin e Javës Ndërkombëtare të Parasë, me aktivitetin e ndarjes së çmimeve nga konkursi i shpallur  për punimet më të mira me temën: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Java Ndërkombëtare e Parasë organizohet nga Rrjeti Ndërkombëtar i OECD për Edukimin Financiar (OECD/INFE), dhe marrin pjesë 176 shtete nga mbarë bota, duke organizuar aktivitete ndërgjegjësuese rreth menaxhimit të duhur të parasë.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, e cila tradicionalisht shënohet nga BQK, sot u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për pesë nxënësit fitues të garës së  klasave IV-V të shkollave fillore të Kosovës, të cilët garuan përmes punimeve të tyre duke realizuar punime mbi konceptin e tyre të menaxhimit të parasë: si fitohen paratë, si shpenzohen paratë në mënyrën e duhur, menaxhimi i financave personale, si të kursejmë, etj.

Qëllimi kryesor i organizimit të këtij aktiviteti është që të kontribuojmë dhe nxitim fëmijët, që qysh në fazë të hershme të fillojnë të mësojnë e ndërgjegjësohen rreth vlerës së parasë dhe menaxhimit të duhur të saj.

Nxënësit u pritën në BQK nga Koordinatori për Funksione të Përgjithshme, Labinot Preniqi i cili tha se BQK do të vazhdojë që të ofrojë mundësi për edukim për fëmijët. “Ne ju inkurajojmë gjithmonë që të përcillni konkurset e tilla dhe të mësoni e njiheni më shumë rreth kësaj fushe e gjithashtu të vazhdoni të aplikoni me punimet tuaja në konkurset e ardhshme, sepse me rritjen e njohurive për konceptet bazike ekonomike e financiare, ju do të jeni të kujdesshëm me paranë tuaj, me kursimet tuaja, do t’i dëgjoni prindërit se si duhet t’i shpenzoni paratë dhe të merrni këshillat më të mira sa i përket parave”, ka thënë Preniqi.

Pas shqyrtimit me kujdes të të gjitha punimeve të sjella nga fëmijët, komisioni vlerësues vendosi që t’i ndajë pesë çmime. Shumica  e punimeve të pranuara në BQK ishin kreative, relevante me temën dhe të punuara me shumë kujdes e përkushtim.

Me çmimin e parë është vlerësuar videoja e nxënësit të SHFMU “Xhemajl Mustafa”, Prishtinë, Dris Sejdiu, çmimi i dytë ka shkuar për nxënësen Jonida Salihu për vizatimin dhe punimin me litar nga SHFMU “Dardania, Prishtinë.

Çmimi i tretë iu nda nxënëses Liza Limani për punimin e saj të një videoje, çmimi i katërt ishte për nxënësen e Shkollës European School of Kosova, Enea Shala për punimin me vizatim/pikturë, ndërsa çmimi i pestë ishte për nxënësin Ubejd Idrizi nga SHFMU “Gjon Serreqi”, Ferizaj.

BQK falënderoi të gjithë nxënësit fitues dhe i inkurajoi që të vazhdojnë të përcjellin aktivitetet e edukimit financiar në platformën e BQK-së edukimifinanciar.org  apo edhe në rrjetet sociale.