Me moton :”Të mësojmë të kursejmë “, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shënon “Javën Ndërkombëtare të Parasë”

14/03/2014

Me moton :”Të mësojmë të kursejmë “
Banka Qendrore shënon “Javën  Ndërkombëtare  të  Parasë”
 
“ Të mësojmë të kursejmë “ është motoja e aktivitetit që  ka mbledhur sot në auditoriumin e Bibliotekës Kombëtare, fëmijë, mësues të shkollave fillore të kryeqytetit, përfaqësues të Bankës Qendrore, Shoqatës së Bankave  përfaqësues të mediave. Kjo ngjarje shënohet në të gjithë botën dhe ka për protagonist kryesor fëmijët, nxënësit dhe të rinjtë .
Në kuadër të Edukimit Financiar dhe  fushës  së kursimeve, me qëllim të ndërgjegjësimit të fëmijëve, nxënësve dhe të rinjve në përgjithësi, çdo vit në gjithë botën organizohet  fushata  e njohur me shënimin e aktiviteteve emrin si  “Java Ndërkombëtare e Parasë”. Bartëse të këtij aktiviteti janë kryesisht bankat qendrore të vendeve përkatëse. Bazuar  në mandatin e saj si dhe konform  obligimeve që dalin prej objektivave të saj të bazuara në  Planin Strategjik të saj,  si institucioni qendror bankar i Kosovës , këtë vit edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ngjashëm me bankat simotra të saj i është bashkëngjitur manifestimeve për të shënuar këtë ngjarje.
Synimi i BQK-së është që projekti i fushës së edukimit  të zgjerohet në të ardhmen në të gjitha shkollat fillore, fillore të mesme dhe ato të mesme, gjimnaze e kolegje dhe fakultete në gjithë vendin, në mënyrë që të realizohen  ligjërata, kuize, punëtori dhe aktivitete që kanë të bëjnë me financat , me theks të veçantë organizimin e aktiviteteve të larmishme për t’i përfshirë financiarisht fëmijët, duke u mësuar si të kujdesen për paratë dhe si të bëhen pjesë e kursimeve.
Organizata ‘Të Rinjtë , Fëmijët dhe Financat Ndërkombëtare “ (Child And Youth Finance International) është  bartëse e këtyre aktiviteteve në gjithë botën.  Anëtar të saj janë bankat qendrore të shteteve dhe asociacionet tjera . Nga ky vit edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është anëtare e kësaj organizate .
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Bedri Hamza me rastin e shënimit të kësaj dite  duke iu drejtuar fëmijëve, pasi u ka shpjeguar për rolin dhe rëndësinë e kursimeve,  ndër të tjerash theksoi : “Paratë duhet t’i shpenzoni vetëm për gjërat të cilat keni nevoja që t’i keni d.m.th. ushqim, veshmbathje, libra, fletore, (edhe për ndonjë lodër ndonjëherë) dhe jo domosdoshmërisht për gjërat që dëshironi t’i keni. Në afat të gjatë është shumë më mirë që paratë të cilat i shpenzoni për gjërat që dëshironi t’i keni dhe jo pse keni nevojë, t’i ruani ato në formë të kursimeve, sepse paraja e kursyer është para e fituar.
Ne si prindër,  gjithmonë kemi dëshirë që t’ua plotësojmë të gjitha dëshirat dhe t’u shpërblejmë me dhurata apo para sa herë, që ju tregoni rezultate në shkollë, ndihmoni në shtëpi dhe na bëni krenar me të arriturat tuaja. Por dhe më shumë krenar do t’ na bëni nëse paratë të cilat ua japim do t’i shpenzoni me kujdes dhe  do t’i  kurseni me kujdes.
Natyrisht që po flasim për shumë të vogël të parave që prindërit apo të afërmit iu dhurojnë, si rezultat i sjelljes së mirë, rezultateve në shkollë apo me rastin e festave, por mos harroni fuqia e një centi apo një euroje është shumë e madhe dhe fuqinë e një centi apo një euroje ju mund ta kuptoni vetëm atëherë kur shkoni në dyqan, dëshironi të blini diçka dhe ju mungon një cent apo një euro për ta blerë atë.  Unë shpresoj shumë që e keni kuptuar rëndësinë e kursimit të parasë dhe gjithashtu shpresoj që këtë mësim të sotëm do ta ndani edhe me shokët dhe shoqet e tjera në klasën dhe shkollën tuaj. “
Për rëndësinë dhe shënimin  e kësaj dite, Drejtori i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, z.Robert Wright, u tregoi nxënësve pjesëmarrës për rolin dhe rëndësinë e kursimeve .
Po ashtu edhe znj.Shkëndije Himaj, Këshilltare e Bordit Ekzekutiv , në fjalën e saj u ka rrëfyer fëmijëve për praktikat e përditshme dhe rëndësinë e kursimeve për të ardhmen që duke iu drejtuar fëmijëve ndau një rrëfim nga përditshmëria. 
Banka Qendrore për të dëshmuar rekreativitetin e fëmijëve në shkollat fillore të ciklit të ulët u ka shpërndarë atyre një ftesë për të marrë pjesë me punimet e tyre, ku do të demonstrohen shkathtësitë  e tyre në vizatime, vjersha apo ese dhe punimet më të mira të tyre të përzgjedhura nga një komision i përbashkët , arsimtar, përfaqësues të BQK-së , do të shpërblehen me çmime nga BQK-ja.
Aktivitetet që do të zhvillohen në të ardhmen do të jenë më gjithëpërfshirëse dhe do të shënohen në gjithë vendin .