08/11/2011
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Laboratorin e Forenzikës, më 8 nëntor 2011 organizuan një program trajnimi për mbrojtjen nga paratë e falsifikuara në Republiken e Kosovës, program ky i dizajnuar për stafin e zgjedhur të institucioneve financiare që ofrojnë shërbime me para të gatshme në Republikën e Kosovës. Trajnimi u organizua në ndërtesën e BQK-së.
Në këtë program njëditor, mbi 80 pjesëmarrës nga institucione të ndryshme financiare që operojnë në Republikën e Kosovës si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë njohur për së afërmi me tiparet e sigurisë së kartëmonedhave euro si dhe me aspekte të teknikave të ndryshme të falsifikimit të këtyre kartëmonedhave si dhe masat që duhet të ndërmerren nga këta të fundit për mbrojtje nga paratë e falsifikuara.
Hapjen e programit e bëri zëvendësguvernatori i BQK-së z. Lulzim Ismajli i cili mes të tjerash potencoi rëndësinë e madhe që ka ky program në mbrojtjen nga paratë e falsifikuara si dhe përpjekjet dhe angazhimet e vazhdueshme që ndërmerr Policia e Kosovës dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në këtë fushë.
Më tutje Drejtori i Drejtoratit për Operacione me para të gatshme dhe pagesa pranë BQK-së z. Jeton Bajramaj bëri një prezentim të shkurtër për rolin e BQK-së në luftimin e parave të falsifikuara si autoritet mbikëqyrës i institucioneve financiare.
Tiparet kryesore të sigurisë së kartëmonedhave euro u prezentuan nga z. Islam Bahtiri – Zyrtar i lartë për operacione me para të gatshme në BQK.
Aspektet ligjore dhe procedurale që kanë të bëjnë me tërheqjen e parave të falsifikuara nga qarkullimi u shpjeguan më tutje nga z. Blerim Sylejmani - Udhëheqës i Sektorit për hetimin e falsifikimit të parasë në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës.
Programi u përmbyll me prezentimin e z. Halim Borovci - Laboratorit i Forenzikës – Njesia per ekspertimin e dokumenteve i cili shpjegoi metodat e falsifikimeve në kartëmonedhat euro në qarkullim në Republikën e Kosovës.