20/10/2014
Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Bedri Peci mori pjesë në Forumin e Crans – Montanës, në Samitin e 16-të Ndërkombëtar mbi “Krimin Ndërkombëtar dhe Sigurinë Vendore dhe Globale” i cili u mbajt në Gjenevë të Zvicrës nga data 15-17 tetor, 2014. Ky forum përbën një platformë prestigjioze përfaqësimi të institucioneve financiare, qeverive, parlamenteve, administratës publike dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Në këtë Samit u prezantuan praktikat dhe sfidat e vendeve të ndryshme pjesëmarrëse në sendërtimin e një kornize të sigurt të qeverisjes dhe të bërit biznes, praktikat e menaxhimit të rreziqeve në korporata financiare dhe rolin kyç të cilësisë së edukimit në funksion të një mjedisi më efikas shoqëroro-ekonomik.
Në këtë eveniment, Forumi i Crans – Montanës nderoi Kryetarin e Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Bedri Peci me çmimin e “Medaljes së Artë”, në shenjë nderimi të arritjeve, si dhe për të vënë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Republikës së Kosovës për t’u integruar në Komunitetin Botëror. Për me tepër, ky çmim ndahet nga Forumi i Crans – Montanës “në raste të veçanta, përmes një vendimi special për njohjen e arritjeve të suksesshme në favor të një bote më humane” (ref:http://www.cmf.ch/forums-medal).