Kryekuvendari Krasniqi priti drejtuesit e BQK-së

01/07/2011

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me guvernatorin e Bankës Qendrore, z. Gani Gërguri, si dhe me kryetarin e Bordit Drejtues të BQK-së, z. Gazmend  Luboteni.
Në fillim të takimit, z. Gërguri ia dorëzoi kryekuvendarit Krasniqi Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2010. Me këtë rast ai tha se ka nderin dhe kënaqësinë e veçantë për të prezantuar këtë raport, i cili përfshin zhvillimet më të rëndësishme në ekonominë e Kosovës. Ekonomia e Kosovës në vitin 2010 shënoi rritje reale të produktit të brendshëm bruto prej 4 për qind, tha z. Gërguri. Për dallim nga viti 2009, kur rritja ishte realizuar kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve publike dhe rënies së çmimeve, në vitin 2010 rritja ishte fryt i rritjes së konsumit dhe investimeve në sektorin privat. Sektori financiar i vendit vazhdoi me trendin rritjes. Treguesit kryesorë të shëndetshmërisë financiare flasin për qëndrueshmëri të lartë të sistemit bankar në Kosovë. Krahas sigurimit të stabilitetit të sektorit financiar, BQK-ja vazhdoi me ngritjen e cilësisë së shërbimeve të saj për autoritetet, komunitetin financiar dhe publikun, theksoi z. Gërguri.
Kryekuvendari Krasniqi falënderoi udhëheqjen e BQK-së për dorëzimin e Raportit dhe inkurajoi udhëheqjen e Bankës Qendrore për angazhime të mëtejme në përmbushjen e detyrave të parashtruara. Në takim u tha se Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e ri mbi Bankën Qendrore, në mbështetje të të cilit ajo edhe zhvillon veprimtarinë e vet.