12/12/2017
Pas përfundimit të vizitës së së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, të kryesuar nga znj.Stephanie Eble, në ambientet e Qeverisë së Kosovës u mbajtë një konferencë për media, ku folën Ministri i Ministrisë së Financave z.Bedri Hamza, znj.Stephanie Eble, udhëheqësja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë dhe z.Fehmi Mehmeti u.d i Guvernatorit të BQK-së.
U.d. guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës z.Fehmi Mehmeti, falënderoi Fondin Monetar Ndërkombëtar, për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, në veçanti Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në realizimin e detyrës së saj për nxitjen dhe mbajtjen e stabilitetit financiar, i cili është në vazhdimësi në rritje. Ndërkaq duke u ndërlidhur me sektorin financiar me theks të veçant atë bankar, ai bëri të ditur se ky sistem vazhdon të jetë stabil, i cili ka vazhduar të ketë një rritje si në pjesën e aseteve ashtu edhe të depozitave, deri sa kreditimi ka shënuar një rritje dyshifrore, duke qenë një prej faktorëve të rëndësishëm në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Një tregues mjaftë pozitiv sipas z.Mehmeti janë kreditë joperformuese , të cilat kanë vazhduar trendin rënës dhe sot norma e kredive joperformuese është në nivelin prej 3.6 %, që është një tregues dukshëm më i mirë në krahasim me vendet e regjionit apo edhe më gjerë”. Poashtu qëndrueshmëria e sistemit financiar , është e bazuar në mirëkapitalizimin dhe me një gjendje shumë të mirë të likuiditetit. Një tregues tjetër është edhe norma e interesit e cila ka vazhduar me një trend rënës dhe krahasuar me vitet e kaluara kur norma e interesit ka qenë dy shifrore, tani norma efektive e interesit përfshirë bizneset dhe ekonomitë familjare ka rënë në 6.51%, ndërsa nëse e shohim normën efektive të interesit vetëm për biznese është 5.87%, ndërsa norma efektive për kredi hipotekare sillet prej 4 deri në 6%. Pra, shihet që është bërë një progres dhe kjo ka ndikuar që të përmirësoj qasjen në financa në Republikën e Kosovës” ka shtuar u.d. Guvernatori Mehmeti.
Ndërsa z.Bedri Hamza është shprehur në fjalën e tij se “Ekonomia e Kosovës viteve të fundit ka pasur progres, rritja ekonomike sillet mbi 4 % dhe është ndër më të mëdhatë në regjion. Nëse flasim si rritje ekonomike dhe si përqindje është e lartë, por duke ditur bazën e ekonomisë së Kosovës, padyshim Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike me qëllim që ti adresojë sfidat e saja kryesore”, ka thënë ka potencuar ministri i Financave z. Bedri Hamza në fjalën e tij në konferencën e sotme për media me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të FMN-së. Më tej ai bëri të ditur se “Kosova vazhdon të ketë stabilitet makrofiskal, deficiti buxhetor edhe për këtë vit, flasim për vitin 2017 pritet që të jetë brenda rregullës fiskale, më i ulët se 2%.
Sipas Ministri Hamza, pritet që të kemi një ekzekutim të mirë të Buxhetit, por mbi të gjitha përveç deficitit buxhetor i cili do të jetë brenda rregullës fiskale diçka më i ulët se 2%, presim që të kemi edhe bilancin bankar pozitiv në përputhje me rregullën fiskale. Hamza më këtë rast ka bërë të ditur se “ FMN ka ndihmuar Kosovën në shtyrjen përpara të reformave strukturore, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore si një element shumë i rëndësishëm për një implementim të mirë të ligjeve dhe avancimin e këtyre kapaciteteve njerëzore, dhe normalisht që kemi përfituar edhe në aspektin financiar”.
Ministri Bedri Hamza theksoi se “Ne e dijmë që edhe në Raportin e Bankës Botërore, Kosova është ranguar në top 10 vendet reformatore, jemi në vendin e 40, mirëpo megjithatë Kosova ka nevojë që të ketë progres edhe më të madh në këtë drejtim, që të krijojmë një klimë të mirë për biznesin, që të jemi në përkrahje të sektorit privat, ku sektori do të jetë bartës i rritjes dhe zhvillimit ekonomik, por edhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, me qëllim që ne ti adresojmë sfidat që i përmenda më herët, deficitin e lartë tregtar dhe normën e lartë të papunësisë”.
Ai bëri të ditur se Kosova ka nevojë për forcim të rendit dhe ligjit, është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe është nevojë e jona që përveç ligjeve të mira ne të kemi edhe implementim të mirë të ligjeve.
“Edhe ky prioritet është reflektuar edhe në Buxhetin 2018, ku për këtë sektor ne kemi ndarë Buxhet më shumë sesa vitet paraprake. Qeverisja e mirë ka nevojë të përmirësohet,të rritet efikasiteti, efiqienca, të rritet produktiviteti i të punësuarve të sektorit publik dhe të arsyetohet kontrata e secilit të punësuar”, ka shtuar Ministri Hamza.
Ai bëri të ditur se “edhe në të kaluarën edhe tash ne përballemi me presionin e iniciativave të reja, sidomos tek pjesa e transfereve sociale, e dijmë që Kosova ka shumë nevoja, mirëpo e ka një top prioritet e ajo është ruajtja e stabilitetit makrofiskal. Dhe nevojat duhet ti adresojmë dhe duhet ti plotësojmë në përputhje me mundësitë tona reale buxhetore, në të kundërtën është vështirë pastaj të flasim për ruajtjen e stabilitetit makrofiskal”.
Ministri Bedri Hamza tha se “pjesë e këtij Misioni, ka qenë edhe një ekip tjetër, e cila ka pas të bëjë me vlerësimin e Kosovës që të lëvizet nga neni 14 në nenin 8. Është një avancim i këtij statusi të Kosovës, sepse në nenin 8 bëjnë pjesë vendet të cilat kanë mbërri një nivel edhe të zhvillimit edhe të sundimit të ligjit, dhe janë vende më të avancuara, dhe besoj se Kosova i ka plotësuar këto kushte që të jetë pjesë e këtyre vendeve, sikurse e thashë edhe më herët të lëvizet nga neni 14 në nenin 8”.
Ndërsa udhëheqësja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë Stephanie Eble, ka vlerësuar se Kosova vazhdon të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike të ndikuar nga investimet dhe eksportet. Rritja ekonomike pritet të arrijë në 4.1 përqind në vitin 2017, e cila është më e larta midis vendeve fqinje, e ndikuar nga rritja e investimeve si dhe rritje të eksportit. Gjithashtu edhe rritja e vazhdueshme e dërgesave nga diaspora si dhe rritja e kreditimit nga ana e sektorit bankar i japin mbështetje për këtë zhvillim.
“Aspekti fiskal mbetet adekuat nga perspektiva e zhvillimit dhe stabilitet ekonomik, "rregulla fiskale" është një mekanizëm i përshtatshëm i politikës fiskale. Në përputhje me buxhetin e rishikuar për vitin 2017, deficiti buxhetor (përkufizimi i rregullës fiskale) pritet të jetë rreth 1.5 për qind e PBB-së shumë më poshtë kufirit sesa 2 për qind të përcaktimit të rregullës fiskale të PBB-së. Draft buxheti i vitit 2018 synon një deficit prej 1.8 për qind të PBB-së, i cili është në përputhje me rregullën fiskale. Drafti i projektbuxhetit gjithashtu mban konstante faturën e pagave si pjesë e PBB-së, në përputhje me rregullën e pagës e cila ka filluar të implementohet nga ky vit”, ka shtuar udhëheqësja e misionit të FMN-së në Kosovë Stephanie Eble.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se “Sa i përket sektorit financiar, Bankat e Kosovës janë të mirëkapitalizuara, likuide dhe fitimprurëse dhe është shprehur se Misioni mirëpret nivelin e ulët të kredive jo performuese si dhe provizionimin e duhur të tyre.