19/05/2009
Në selinë qendrore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Londër, ka zhvilluar punimet konferenca vjetore e kësaj banke, në të cilën përveç përfaqësuesve të 62 vendeve të botës, në cilësinë e mysafirëve special, morën pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës, z.Ahmet Shala dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës,z.Hashim Rexhepi. Ata morën pjesë në sesione të ndryshme dhe në mbledhjen e Bordit të guvernatorëve të kësaj banke.
Në këtë takim të nivelit më të lartë të këtij institucioni të rëndësishëm financiar ndërkombëtar, ministri Shala dhe guvernatori Rexhepi, kanë prezantuar rrjedhat aktuale në Kosovë në realizimin e politikave makroekonomike, sidomos në ato të sektorit bankar dhe në sektorët e tjerë të shtetit më të ri në botë. Ata me këtë rast dhe në takimet e veçanta që patën me drejtuesit kryesorë të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim ,me ministrat e ekonomisë dhe financave dhe me guvernatorët e shumë vendeve më të zhvilluara të botës, u përgëzuan me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe njëherësh morën mbështetjen edhe për anëtarësimin në institucionet e tjera financiare e monetare ndërkombëtare.
Gjatë konferencës vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, ministri z.Ahmet Shala dhe guvernatori z.Hashim Rexhepi, kanë zhvilluar një varg takimesh edhe me kolegët e tyre të shumë vendeve të botës, duke marrë me këtë rast edhe mbështetjen e tyre për realizimin e shumë projekteve me interes për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetit financiar të Kosovës.