Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është një institucion publik i pavarur dhe objektivi parësor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar si dhe një sistemi efikas të pagesave
11/10/2018
Gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahet në Bali të Indonezisë, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit.
Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është thellimi i marrëdhënieve dhe forcimi i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në fushën e biznesit bankar qendror, duke ndërmarrë iniciativa për rritjen e dialogut të biznesit në nivel ekspertësh dhe shkëmbimin e njohurive, dhe ekspertizës.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka shprehur kënaqësinë për rritjen e bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë me anë të këtij memorandumi, që gjithashtu do të mundësonte shkëmbimin e informacioneve dhe pikëpamjeve mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në ekonomitë e të dyja vendeve, si dhe çështjet e bankingut qendror.
Me nënshkrimin e këtij Memorandum Mirëkuptimi, palët bien dakord për të forcuar shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës përmes vizitave nga zyrtarët në nivel pune. Shkëmbimet mund të bëhen në formën e këshillave teknike, lëvizjeve të përkohshme të punonjësve, trajnimeve, seminareve, punëtorive, vizitave të ekspertëve, vizitave kërkimore ose aktiviteteve kërkimore në fusha të rëna dakord reciprokisht.
Copyright © 2014-2024 BQK. Të gjitha të drejtat e rezervuara