07/04/2010
Grafiku nr.1. normat e kamatës e aplikuar nga BQK-ja për llogaritë rrjedhëse të depozitarëve të saj
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) investon mjetet si pjesë përbërëse e bilancit të gjendjes së saj sipas Ligjit për BQK-në, nr.03/L-074 dhe Politikës së Investimeve të BQK-së, ndërsa për depozitimet e marra paguan kamatë sipas Politikës së Normës së Kamatës .Të dy këto politika aprovohen dhe azhurnohen nga ana e Bordit Drejtues të BQK-së.
Nisur nga fakti se BQK-ja është e autorizuar të veprojë edhe si agjent fiskal i Ministrisë për Ekonomi dhe Financa, BQK-ja në mënyrë rigoroze ndjek kriteret e përcaktuara në politikën e investimeve dhe kriteret ndërkombëtare për investime që lejon investimet vetëm në instrumente që vlerësohen dhe që kërkojnë diversifikimin e rreptë të portfolios së BQK-së. Kjo formë e investimeve financiare bazohet në sigurinë e mjeteve, likuiditetin e tyre dhe normën e kthimit nga investimet dhe si e tillë i mundëson BQK-së të plotësojë me kohë të gjitha kërkesat ligjore të secilit depozitar të saj, përfshirë këtu edhe AKP-në. BQK-ja kryen menaxhimin e rrezikut të investimeve përmes analizave dhe vlerësimeve ku përmbushen kriteret e parashtruara të politikës së investimeve. Edhe përkundër krizës financiare, nga vlerësimet e vazhdueshme për qëndrueshmëri financiare nga ana e Agjencioneve Financiare Ndërkombëtare, BQK-ja i ka përmbushur kriteret e investimit të mjeteve të përcaktuara sipas politikës së investimeve me kategoritë kryesore të vlerësimit (Aaa dhe Aa) duke investuar në instrumentet e tregut të parasë. Sipas kësaj politike, rreziku kreditor menaxhohet përmes shpërndarjes proporcionale, bazuar në vlerësimet e bëra nga agjencitë financiare ndërkombëtare.
Depozitimet e marra nga BQK-ja janë paguar në bazë të normës së kamatës së Bankës Qendrore Evropiane (BQE), dhe vlerës aktuale në të cilën ndodhet sistemi global financiar bazuar në Politikën mbi Normën e Kamatës së BQK-së. Rënia e normave të interesit paraqitet si pasojë e krizës ekonomike dhe financiare globale. Kjo normë e kamatës nuk parashihet të ndryshojë gjatë gjashtëmujorit të parë dhe të dytë të vitit 2010, ndërsa grafiku i mëposhtëm paraqet rënien e dukshme të normave të kamatës prej janarit të vitit 2003 deri më 13 korrik 2009.
Siç dihet, vendimet për depozitim dhe/ose tërheqje të mjeteve nga BQK-ja varen nga vetë depozitarët, përkatësisht klientët. Padyshim, projeksionet për likuiditet qe kapin horizont kohor me afatgjate janë me interes reciprok si për vetë depozitarët ashtu edhe për vetë qëndrueshmërinë financiare të BQK-se. Rrjedhimisht, BQK-ja mban kontakte të rregullta me çdo depozitarë të saj dhe u ofron raporte të rregullta të gjithë depozitarëve të saj konform kërkesave të tyre dhe politikave të saj operacionale. Madje, për klientët kryesorë siç është Thesari dhe AKP-ja, BQK-ja gjeneron raporte të rregullta dhe të veçanta me qëllim të përmbushjes së kërkesave specifike për informacion mbi lëvizjet dhe gjendjen e llogarive të mbajtura në BQK.
Drejtorati për Marrëdhënie me Jashtë