Guvernatori Gërguri i dorëzoi Kryetarit të Kuvendit z. Krasniqi Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2011

Prishtinë, 03 korrik 2012


Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore, z. Gani Gërguri, i cili shoqërohej edhe nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, z. Gazmend  Luboteni.
Guvernatori Gërguri ia dorëzoi Kryekuvendarit Krasniqi Raportin Vjetor të BQK-së për vitin 2011. Me këtë rast ai nënvizoi performancën shumë të mirë të BQK-së në realizimin e objektivave të saja ligjore. Krahas sigurimit të stabilitetit financiar të vendit si dhe arritjes së normës së rritjes ekonomike prej 5%, Guvernatori theksoi si të arritura të veçanta edhe funksionalizimin e plotë të tregut të letrave me vlerë të qeverisë, të skemës së sigurimit të depozitave, të Byrosë Kosovare të Sigurimit, pastaj përmbushjen e agjendës legjislative për sektorin financiar si dhe përmbushjen e detyrave nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian përfshirë edhe kryerjen e detyrave për marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Këto të arritura të veçanta, sipas Guvernatorit, flasin për një rritje cilësore të koordinimit ndërinstitucional midis BQK-së, Ministrisë së Financave dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. 
Duke elaboruar mbi ecuritë e parapara për vitin 2012, Guvernatori Gërguri theksoi se pikëpamja e përgjithshme është optimiste, në veçanti sa i përket rritjes ekonomike, pastaj uljes së inflacionit si dhe rritjes së mëtejme të aseteve të sektorit financiar. Në këtë kontekst Kryekuvendari Krasniqi dhe Guvernatori Gërguri e vlerësuan të rëndësishme vazhdimin e anagazhimeve në drejtim të uljes së mëtejme të normës së kamatave në sistemin bankar.



Kryekuvendari Krasniqi falënderoi Guvernatorin Gërguri  për dorëzimin e Raportit vjetor  dhe inkurajoi udhëheqjen e Bankës Qendrore për angazhime të mëtejme duke i siguruar mbështetjen e nevojshme për përmbushjen e agjendës kushtetuese dhe ligjore të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.