Fjalimi i Guvernatorit Gërguri me rastin e Njëvjetorit të themelimit të Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë, 10 maj 2012, BQK


I nderuar Zëvendësministër Avdiu,
Shkëlqesia juaj, Ambasador Reichel,
I nderuar Kryetar i Bordit të bankës qendrore,
Të nderuar përfaqësues të KfW-së,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare
Të nderuar përfaqësues të mediave, mysafirë dhe kolegë,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë dhe privilegjin të flas në këtë ngjarje edhe të rëndësishme edhe të lansuar me kohë. Kjo shënon një ditë tjetër historike në kalendarin e zhvillimeve të sektorit financiar të Republikës së Kosovës.
E rëndësishme, sepse po promovojmë njëvjetorin e funksionimit të Fondit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë – mekanizëm ky i cili paraqet njërën nga shtyllat kryesore të asaj që njihet si rrjet i sigurisë financiare të përbërë nga: (i) rregullativa dhe mbikëqyrja prudenciale; (ii) huadhënia e instancës së fundit; (iii) veprimet përmirësuese dhe/ose detyruese; dhe (iv) sigurimi i depozitave.
E lansuar me kohë sepse nëse i referohemi Parimeve Bazë për Sistemet e Sigurimit Efektiv të Depozitave , sigurimi i depozitave rekomandohet të lansohet kur keni një sistem të shëndoshë dhe të qendrueshëm bankar. Rrjedhimisht, ne e kemi lansuar dhe jemi duke e promovuar sigurimin e depozitave në kohën kur sistemi bankar në vendin tonë vazhdon të reflektojë shëndet dhe qendrueshmëri të fortë.
Rritja në shkallë vjetore dyshifrore e depozitave (10.4 përqind) dhe e kredisë (13.5 përqind), shkalla e kënaqshme e adekuatshmërisë së kapitalit (18 përqind) dhe e likuiditetit, shkalla njëshifrore (6 përqind) dhe provizionimi adekuat i kredisë joperformuese (120 përqind) si dhe ruajtja e raportit kredi – depozita (në nivelin 80 përqind) ilustrojnë në mënyrë të matshme profilin e shëndoshë dhe të qendrueshëm të sistemit bankar në Kosovë.
Prandaj, promovimi i fondit të sigurimit të depozitave si ky i yni -  mirë i organizuar në kuptim të një administrimi racional, dhe - mirë i financuar, fillimisht ex ante nga granti i Qeverisë Gjermane dhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës me mbështetje të Bankës Botërore si dhe nga premiumet e rregullta të bankave komerciale është me rëndësi vitale si për ekonominë ashtu edhe për mbrojtjen e mëtejmë të stabilitetit financiar në Kosovë.
Vital për ekonominë sepse do të ndikojë në rritjen e mëtejme të depozitave e sidomos në zgjatjen e maturitetit të tyre si parakusht me rëndësi i rritjes së mëtejme të kredisë, në veçanti kredisë me afat më të gjatë për të cilën kanë nevojë posçërisht projektet nga fusha e prodhimtarisë.
I rëndësishëm për stabilitetin financiar sepse e rritë qartësinë, sigurinë dhe besimin e depozitorëve në sistemin bankar.
Kriza e fundit globale financiare, midis tjerash, na mësoi për rolin kritik që e ka sigurimi i depozitave për stabilitetin financiar jo vetëm për vendet individualisht, por edhe në nivel të kornizës globale të stabilitetit financiar. Ky leksion reflekton kryesisht mbi çështjen e kostos së mbulimit dhe garantimit të depozitave, pastaj zgjidhjen e sigurimit të depozitave në rrafshin ndër-kufitar dhe domosdoshmërinë për koordinim ndërkombëtar dhe respektim të standardeve ndërkombëtarisht të dakorduara, në rend të parë, të atyre të caktuara në Bazel. Kosova nuk ishte e ekspozuar në këtë drejtim, prandaj edhe nuk do elaborojë më tepër në këtë pikë.
Një leksion tjetër me rëndësi në relacion me sigurimin e depozitave dhe krizën globale financiare doli të jetë nevoja e ‘kthimit kah elementarja’ në qasjen ndaj mbikëqyrjes dhe rregullativës bankare. Ky leksion kryesisht ka të bëjë me kërkesat e dala nga Bazeli III-të që të rrumbullakësuara thërrasin për:
-    rritje të sasisë dhe cilësisë së kapitalit bankar;
-    promovimin e një raporti të thjeshtë të ‘levës’ (anglisht: leverage);
-    themelimin e mekanizmit të ndërtimit të ‘stabilizatorëve’ adekuat të kapitalit duke u fokusuar në parimin e sjelljes kundërciklike si dhe të konzervimit të kapitalit përmes ndalimit të shpërndarjes jo të drejtë të tij (si për shembull dividendës); dhe
-    lansim të standardeve globale për likuiditet që sigurojnë menaxhim efektiv të rrezikut për likuiditet duke krijuar ’stabilizatorë’ adekuat të likuiditetit.
Për dallim të leksionit paraprak, Kosova në këtë leksion del të jetë shembull i mirë i përfitimit nga qasja ‘elementare’ në rregullativë dhe mbikëqyrje bankare. Në esencë, kjo qasje del të jetë edhe qasja më e preferuar edhe nga vetë sigururesit e depozitave të cilët preferojnë të kanë punë me banka të vogëla dhe me koncepte të thjeshta si dhe të mbështesin ’stabilizatorë’  të fuqishëm të kapitalit dhe levës së vogël si çelës kryesorë në mbrojtjen e depozitorëve.
Në këtë kontekst, dua të nënvizoj se sistemi ynë bankar ka sasi dhe cilësi të lartë të kapitalit dhe levë adekuate, ndërsa në aspektin e ’stabilizatorëve’ të kapitalit – kur marrim parasysh raportin kredi depozita si dhe kur kësaj i shtojmë rezervën e obligueshme prej 10 përqind del se sistemi ynë bankar posedon ‘amortizatorë’ të mirë për ditë më të vështira, që shprehur numerikisht diku rreth 30 përqind e depozitave janë në kohë reale në dispozicion.
Kjo rezervë e fuqishme si dhe ky akumulim ex ante i financimit të fondit të depozitave flet për implementim praktik të parimit të krijimit të rezervave në ditë të mira si mbrojtje ndaj nevojave të ardhshme në ditë të vështira ose thënë  figurativisht flet për “mprehje të shpatës në kohë të paqes” e që në esencë reflekton zbatimin praktik të asaj që njihet si veprim ose lëvizje kundërciklike.
Ngjashëm me shumicën e vendeve në botë, edhe FSDK-ja nuk është e mandatuar që në mënyrë direkte të merrë pjesë në vendimmarrjen mbi masat detyruese/përmirësuese ndaj bankave (siç ndodhë në SHBA me Korporacionin Federal të Sigurimit të Depozitave), por pavarësisht kësaj ajo mbetet lojtarë kyç në menaxhimin e krizës eventuale bankare duke qenë përherë e mobilizuar për veprim imediat konform vendimeve të bankës qendrore si rregullator.
Në fakt, vetë skema e FSDK-së është e bazuar në parimin e profilit të rrezikut bankar gjë që i kontribuon eliminimit të efekteve të mundshme negative që shkakton i ashtuquajturi “dëm moral” (anglisht: moral hazard). Kështu, ky aranzhman motivon për vetëdisciplinë nga ana e bankave duke luajtur rolin deri diku edhe të vetërregulluesit.
***
Pavarësisht kësaj vetëdiscipline, banka qendrore mbetet e përkushtuar në qasjen e saj proaktive karshi licencimit, rregullimit dhe mbikëqyrjes së sektorit financiar si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional brenda dhe jashtë vendit. Në fakt, vetë mënyra e themelimit të FSDK-së është shembulli më i mirë i këtij bashkëpunimi. Dhe, ky besoj është momenti më i mirë për t’ju falenderuar Qeverisë gjermane dhe KfW si dhe Bankës Botërore për mbështetje të madhe dhënë këtij fondi. Natyrisht, këtu duhet falenderuar në veçanti përkushtimin efektiv dhe efikas të Ministrisë së Financave e cila duke mbështetur këtë fond, pastaj duke kontribuar në ndërtimin e mekanizmit të mbështetjes emergjente për likuiditet po jep kontribut në ruajtjen e stabilitetit financiar në Kosovë. Krejt në fund, dua ta falenderoj stafin e BQK-së i cili demonstroi pronësi profesionale në të gjitha fazat e zhvillimit të këtij fondi, natyrisht, duke mos harruar edhe drejtoreshën menaxhuese si dhe anëtarët e Bordit menaxhues të FSDK-së cilët me entuziazëm të veçantë profesional na kanë bërë të ndihem krenar në ditën e sotme.
Ju falemnderit!