Fjala e Guvernatorit Gërguri në ceremoninë e hapjes së Panairit Financiar 2011

Fjala e Guvernatorit Gërguri në ceremoninë e hapjes së Panairit Financiar 2011, mbajtur më 29 shtator 2011, Hotel Grand, Prishtinë
 
I nderuar Ministër Beqa
I nderuar Zëvendësministër Avdiu
I nderuar Kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, z.Wright
Të nderuar organizatorë dhe pjesëmarrës
Zonja dhe zotërinj,


Kam kënaqësinë që sot po hapim Panairin Financiar 2011 i cili tashmë ka krijuar një përvojë të çmuar të grumbullimit në një vend të institucioneve të veçanta – pra institucioneve financiare që ngjashëm si në çdo vend tjetër kanë një rol të veçantë për zhvillimin ekonomik edhe të vendit tonë.

Sektori financiar, në veçanti sistemi bankar, ishte i pari që hodhi dritë në kohën e pasluftës – kohë kjo e karakterizuar me një horizont ekonomik pothuajse tërësisht të dëmtuar, me paqartësi dhe sfida nga më të ndryshmet.

Tek financierët numrat janë ata qe çojnë peshë  dhe gjykuar sipas tyre Kosova vazhdon të ndërtojë një sistem bankar stabil dhe të shëndoshë. Gjithsej kreditë, në fund të gushtit të këtij viti, kanë mbërritur në 1.61 miliardë euro (rritje vjetore prej 16.3 për qind), ndërsa gjithsej depozitat kanë mbërritur në 2.11 miliardë euro (rritje vjetore prej 18.1 për qind). Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit vazhdimisht qëndron mbi 17 për qind, ndërsa kreditë joperformuese janë aktualisht afër 6 për qind. Rezultatet e ‘stres – testit’ të fundit të kryer nga ana e Bankës Qendrore flasin për një aftësi solide të sistemit për të përballuar tronditjet që kanë të bëjë me nivele të ndryshme hipotetike të kredive joperformuese dhe të likuiditetit.

E tërë kjo falë jo vetëm mbikëqyrjes së avancuar dhe të shpeshtuar nga ana e Bankës Qendrore, por edhe fal përkushtimit të bankave komerciale për të zhvilluar një sistem bankar me kulturë të financimit të përgjegjshëm i cili në kushtet e euroizimit të njëanshëm (rasti jonë) të vendit paraqet shtyllë kruciale për stabilitetin financiar dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Nisur nga kjo, Banka Qendrore bashke me Ministrinë e Financave e ka ngritur koordinimin reciprok si dhe korrdinimin me institucionet tjera me qëllim të avancimit të infrastrukturës për një stabilitet financiar afatgjatë. Ligji mbi bankat komerciale, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare është duke bërë xhiron e fundit të konsultimeve me palët relevante dhe pritet të aprovohet në çerekun e fundit të këtij viti. Në bashkëpunim me USAID-in është duke u avancuar ambienti për biznes si dhe duke u zgjeruar informacioni kreditor. Banka Qendrore po punon në konsolidimin e veprimeve që dalin nga rekomandimet e Bankës Botërore në fushën e qeverisjes korporative, atë të josolvencës dhe rexhimit kreditor e debitor si dhe të auditimit dhe kontabilitetit. Skema e sigurimit të depozitave tashmë është operacionalizuar dhe pritet të kontribuojë dukshëm në pasurimin e profilit të maturitetit si të depozitave ashtu edhe të kredisë. Të gjitha këto janë vetëm një pjesë e parapërgatitjeve tona për punën e madhe që na pret në vitin 2012 ndërlidhur me Programin e Vlerësimit të Sektorit Financiar të Kosovës që pritet të realizohet nga ekspertë të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore.

Unë thashë në fillim se tek financierët numrat janë ata që çojnë peshë. Mirëpo, kur është fjala për bankierët, më duhet nënvizuar se është diç që çon peshë më shumë se numrat. E ai është besimi i qytetarëve në sistemin bankar – besim ky i cili në Kosovë ishte dhe vazhdon të mbetet gjeneratori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit bankar.

Në fakt, biznesi bankar në Kosovë është jo edhe aq kompleks dhe ka të bëjë kryesisht me transferimin e këtij besimi tek ata që trokasin në dyert e bankave për të marrë kredi. Dhe, këta kredikërkues përveç që duhet të justifikojnë arsyeshmërinë ekonomike të kërkesës për kredi duhet edhe të garantojnë aftësitë e tyre për kthim në kohë të kredisë. Këtu edhe qëndron njëra ndër arsyet kryesore pse bankat janë tepër të kujdesshme në transferimin e këtij besimi tek ata që kërkojnë kredi. Dhe, duhet pranuar, kur është fjala tek kjo pjesë që e kërkon besimin e bankës, atëherë ka ende punë për t’u bërë.

Pikërisht një profil i një kredikërkuesi transparent, të besueshëm dhe ligjërisht të dokumentueshëm është profili i cili hap mundësitë e zvogëlimit të mëtejmë të normave të interesit në Kosovë -  temë kjo e cila po shoh se me të drejtë është vënë në agjendën tuaj të sotme. E norma e interesit, pak a shumë, nuk është asgjë tjetër vetëm se reflektim i klimës së biznesit në një vend dhe për këtë duhet sinqerisht komplimentuar organizatorin që gjithashtu e ka vënë në agjendë të ngjarjes së sotme. Sepse, jo gjithçka varet nga funksionimi i vet sistemit bankar. Performanca e sistemit bankar përcaktohet shumë prej funksionaliteti të vetë mozaikut institucional që e mbështet këtë sistem dhe unë duke parë përbërjen e panelistëve kam besim se ky panel do të kontribuojë dukshëm në ravijëzimin edhe më të qartë të profilit të kredikërkuesit të sotëm kosovar.

Duke ju përshëndetur për këtë kombinim kaq efektiv të trajtimit profesional të çështjeve aktuale bashkë me ekspozimin konkret të menysë financiare kosovare ju uroj punë të suksesshme në këtë Panair Financiar.
 
Gani Gërguri
Guvernator