Nënshkruhet Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës

Me qëllim të  bashkëpunimit ndërinstitucional në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive  të  tyre të përcaktuara  sipas legjislacionit në fuqi (Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës), Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK)  dhe Autoriteti  Kosovar i Konkurrencës (AKK) nënshkruan  sot një  Marrëveshje  Mirëkuptimi.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në  realizimin e  objektivave  specifike të BQK-së dhe AKK-së, përmes lehtësimit të shkëmbimit të informacionit relevant ndërmjet dy institucioneve.

Guvernatori i BQK-së  z. Gani Gërguri duke  vlerësuar  nënshkrimin e  kësaj  marrëveshjeje, theksoi se duke iu përmbajtur gjithmonë provizioneve te Ligjit te BQK-se, kjo marrëveshje demonstron gatishmërinë  për  të  bashkëpunuar ngushtë  dhe  në  vazhdimësi  me  Autoritetin  Kosovar  të  Konkurrencës dhe në frymën e legjislacionit në fuqi për të promovuar metej tregun e hapur dhe konkurrencen e lire në sektorin financiar të vendit tone.

Kryetari i AKK-së z. Osman Ejupi duke  çmuar  lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje theksoi se marrëveshja si kjo  do  t’i  kontribuojë  rritjes  së  efikasitetit  të  Autoritetit  që  drejton në  veçanti  dhe mbrojtjes së  konkurrencës  në  Republikën e  Kosovës  në  përgjithësi.