U mbajt seminari i radhës për avancimin e lëmit të kredidhënies

Më 13 dhe 14 qershor 2011 në mjediset e Hotel Victory në Prishtinë në organizim të përbashkët të USAID-it dhe BQK-së u mbajt seminari i dytë me institucionet kredidhënëse me temë “Avancimi i informacionit kreditor dhe i Regjistrit të Krediteve të Kosovës (RKK)”.  Të pranishëm pos përfaqësuesve të USAID-it dhe të BQK-së ishin edhe zyrtarët e institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jo-bankare që ushtrojnë veprimtari të kreditimit.
Seminari pati për qëllim avancimin e përgjithshëm të lëmit të kredidhënies në Kosovë dhe në veçanti avancimin e RKK-së, që operohet nga BQK-ja dhe që është sistemi i vetëm i informacionit kreditor në Kosovë.  Në hapje të seminarit z. Florim Maxharraj, zyrtar kryesor i operacioneve, e mbajti një fjalim mbi funksionin e regjistrit të kredive në forcimin e sistemit financiar, ndërsa gjatë punimeve të seminarit nga ana e BQK-së kontribuuan me paraqitjet e tyre profesionale edhe z. Skender Kllokoqi, këshilltar ligjor, znj. Shaha Gerbeshi, udhëheqëse e Zyrës së regjistrit të krediteve, dhe znj. Florije Kurti, zyrtare e regjistrit të krediteve.  Në seminar nga ana e programit të USAID-it në hapje foli z. Greg Olson, zëvendësdrejtor i Zyrës për rritje ekonomike, ndërsa pati paraqitje dhe diskutime të shumta nga znj. Marian Mishriki dhe z. Shkumbin Saneja, zyrtarë të lartë në Programin e USAID-it për Përmirësimin e Mjedisit Afarist.  Po ashtu paraqitje të rastit patën edhe disa të ftuar nga lëmenj të tjerë të lidhur me kredidhënien.
Gjatë seminarit u trajtuan identifikimi i faktorëve që ndikojnë në të dhënat kreditore të shkëmbyera, rritja e sasisë dhe cilësisë së informatave të disponueshme në regjistrin e kredive, kontrolli i rrezikut, ngritja e efikasitetit të kredidhënies, optimalizimi i operacioneve interne, ngritja e vetëdijes për të drejtat e huamarrësve dhe çështje të tjera.  Në fund u nënvizuan komponentët kyçë të një plani të veprimit për përmirësimin e cilësisë së informacionit kreditor dhe rishikimin dhe përsosjen e mëtejme të RKK-së.