Presidentja Jahjaga priti Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, z.Gani Gërguri

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim guvernatorin
e Bankës Qendrore të Kosovës, z. Gani Gërguri.

E mërkurë, 08 qershor 2011


Presidentja Jahjaga tha në takim se Banka Qendrore ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi bankar të qëndrueshëm në Kosovë dhe e quajti lajm të mirë faktin që bankat komerciale në Kosovë e përballuan pa pasoja të mëdha krizën financiare e cila shkaktoi falimentimin e shumë bizneseve në tërë botën.

Ajo shtoi se roli i BQK-së do të vazhdojë të jetë kyç në mirëmbajtjen e stabilitetit financiar të Kosovës. Në këtë kuadër, shtoi ajo, është i rëndësishëm ndërtimi i kapaciteteve të nevojshme në BQK për t’i ofruar ndihmën e nevojshme sistemit bankar.

Presidentja Jahjaga u shpreh se do ta përkrahë forcimin dhe kompletimin e mëtejshëm të kornizës legjislative dhe institucionale që ndërlidhet me sistemin bankar dhe veçanërisht me Bankën Qendrore.

Njëkohësisht, ajo i bëri thirrje Bankës Qendrore dhe përmes saj edhe bankave komerciale në Kosovë që të punojnë në drejtim të përmirësimit të kushteve për përkrahjen edhe më të madhe të bizneseve në Kosovë, duke shtuar se forcimi dhe rritja e bizneseve private është parakusht për zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe së këndejmi edhe për konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar.

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Gani Gerguri e njoftoi Presidenten Jahjaga me punën e institucionit që ai drejton dhe e siguroi atë për forcimin e mëtejmë të pavarësisë dhe të profesionalizmit të BQK-së, në shërbim të një sistemi bankar stabil.

(Teksti është marrë nga portali i Presidencës)