Takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit, Gani Gerguri dhe zëvendësguvernatori Nexhat Kryeziu, ishin pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës e cila mori pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore të mbajtura në Uashington D.C.Krahas pjesëmarrjes në mbledhjen e Konstituences belgo-austriake pranë FMN-së dhe Bankës Botërore, z.Gerguri është takuar edhe me ekipin e misionit të FMN-së për Kosovën i kryesuar nga ana e z.Costas Christou, si dhe me drejtues të departamenteve të FMN-së si ai i tregjeve monetare e kapitale, pastaj departamenti i statistikave dhe departamenti i financave.

Në këto takime janë diskutuar zhvillimet e fundit në sektorin financiar me fokus të veçantë në sistemin bankar, ndërsa Kosova është komplimentuar për progresin e saj të veçantë  lidhur me anëtarësimin si shteti i 98-të në projektin e GDDS-së pranë FMN-së. Njëkohësisht, janë identifikuar edhe fushat tjera në të cilat FMN-ja do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike. Në takimet me zyrtarë të Bankës Botërore janë elaboruar në detale aspekte të implementimit të Ligjit mbi sistemin e sigurimit të depozitave në Kosovë si dhe misionet vijuese të Bankës Botërore lidhur me vlerësimin e standardeve të qeverisjes korporative dhe vlerësimin e insolvences së kreditoreve/debitorëve në sektorin bankar të Kosovës.

Gjatë kësaj kohe, z.Gerguri është takuar edhe me zyrtarë të lartë të Departamentit të Thesarit amerikan (z.Christopher Smart) si dhe ata të Departamentit të Shtetit (z.Thomas Countryman) me të cilët janë diskutuar çështje të thellimit të asistencës teknike dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.