Rriten angazhimet për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

 Me ftesë të BQK-së nga data 30-31 mars 2011,  kanë qëndruar në një vizitë dyditore për herë të parë në Kosovë, përkatësisht në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës,  delegacioni i Lartë i Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër– me seli në Bruksel. Në përbërje të këtij delegacioni ishin  z. Mariusz Wichtowski – President i Këshillit të Byrove, z Rudolf Elvers – Drejtor ekzekutiv i Byrosë Motorike të Gjermanisë si dhe z.Alan Pire Sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Byrove. 

Kjo vizitë është vazhdimësi e takimeve që BQK-ja po ndërmerr me qëllim të gjetjes së rrugës adekuate për anëtarësim sa më parë të Kosovës në Këshillin e Byrove.

Fillimisht delegacioni në fjalë u prit nga menaxhmenti i  BQK-së, u.d i  guvernatorit z. Gani Gërguri, zëvendësguvernatori z.Nexhat Kryeziu si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, z.Bashkim Isufi. Me këtë rast,nikoqirët ofruan informacion mbi zhvillimin ekonomik, financiar e posaçërisht atë në industrinë e sigurimeve në Kosovë duke nënvizuar domosdoshmërinë që të gjendet një solucion që  në një të ardhme sa më të afërt të mundësohet pranimi i Kosovës dhe anëtarësimi i saj në Byronë e Kartonit të Gjelbër.

Z. Gërguri nënvizoi rëndësinë dhe ndërlidhshmërinë e këtij anëtarësimi në kontekst të mbështetjes së lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave në dhe nga Kosova me shtetet tjera të Evropës, duke theksuar edhe implikacionet që gjendja ekzistuese i ka edhe në lëmin e konkurrentshmërisë ekonomike të vendit tonë me vendet tjera, ndërsa zëvendësguvernatori Kryeziu, theksoi aktivitetet që janë në zhvillim e sipër nga ana e BQK-së për plotësim të legjislacionit i cili do të mundësojë anëtarësimin tonë sa më të shpejtë në këtë institucion duke nënvizuar gatishmërinë e BQK-së që pas aprovimit të Ligjit mbi  sigurimet e detyrueshme të themelojë edhe Byronë Motorike si dhe Fondin e posaçëm për t’u përgjigjur kërkesave që parashtron Byroja e Kartonit të Gjelbër. Gjithashtu, z.Isufi konfirmoi gatishmërinë e Ministrisë së Financave që të ndihmojë në përshpejtimin e këtij procesi. Zyrtarë të  Mbikëqyrjes së Sigurimeve të BQK-së, e njoftuan delegacionin rreth infrastrukturës ekzistuese ligjore të sigurimeve, performancën e saj financiare si dhe sfidat në të ardhmen. Të njëjtat tema u trajtuan edhe në takimet me përfaqësuesit e industrisë së sigurimeve si dhe Fondin e Garancisë së Kosovës.

Mysafirët shpjeguan në detaje se çfarë paraqet organizata që ata drejtojnë dhe premtuan që të mbështesin iniciativën e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. Pritet që në shtator të shtrohet kërkesa e Kosovës në Asamblenë e përgjithshme të Kartonit të Gjelbër , në mënyrë që Kosova të pranohet apo eventualisht të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila do të hapte rrugë që makinat me targa të Kosovës  të lëvizin lirshëm edhe në vendet e tjera dhe po ashtu të njihet edhe Kartoni i Gjelbër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetasve që vizitojnë Kosovën , pra të mos kenë nevojë të paguajnë polica kufitare.