BQK-ja prezantoi numrin e parë të Raportit të Stabilitetit Financiar të Kosovës

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka prezantuar  numrin e parë të  Raportit të  Stabilitetit Financiar të Kosovës, me ç’rast krahas nikoçirit z.Gani Gërguri, ushtrues detyre i Guvernatorit dhe të ftuarëve të shumtë, si nga institucionet vendore ashtu edhe ndërkombëtare, mysafirë special të kësaj ngjarje ishin Guvernatori i Bankës Qendrore të Turqisë, z.Durmuş Yilmaz dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani.

Në fjalimin e tij,Kryetari i Bordit të BQK-së, z.Gazmend Luboteni, elaboroi mbi ekonominë botërore dhe  krizën globale e cila i futi shumë vende të zhvilluara në recesion ndërkohë që vështirësitë  e sketorit financiar ishin të pranishme  pothuajse në çdo vend të botës. Në Kosovë kjo ka reflektuar vetëm tek Trusti i Kursimeve Pensionale, ndërsa pjesët e tjera të sektorit financiar të Kosovës operuan me stabilitet dhe profit.

Ministri në largim i Ministrisë për Ekonomi dhe Financa, z.Ahmet Shala, ka nënvizuar përkushtimin e institucioneve kosovare për krijimin e një ekonomie të qëndrueshme duke cekur se në marreveshje me FMN-në, një rezervë prej 6-9 të GDP-së do të jetë gjithmonë për ndonjë krizë të thellë apo të papritur ekonomike si dhe  eshtë shprehur optimist që diku në fillim të vitit 2011 do të jemi të gatshëm që të fillojmë edhe me tregun e letrave me vlerë.

Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit  të BQK-së, z.Gani Gërguri, bëri një portretizim të sektorit financiar të Kosovës si të hapur, të vogël, akoma të thjeshtë, stabil dhe në rritje. Ai theksoi se sektori financiar ishte pionier i investimeve të huaja direkte, ndërsa për shkak të rritjes së tij si në sasi dhe në cilësi apeloi për rishikim të modelit të zhvillimit ekonomik i cili do të akomodonte këtë rritje të sektorit financiar. Në të njëjtë kohë, z.Gërguri apeloi te vetë sektori financiar që të jetë edhe më proaktiv në eksplorimin e mundësive që gjenden në sektorë deri tash më pak të bankarizuar të ekonomisë sonë. Duke përmendur ndryshimet relevante në legjislacionin financiar si dhe reagimin e organizuar ndaj krizës globale, z.Gërguri nënvizoi kualitetin e institucioneve si një faktor komparativ të ekonomive moderne dhe të suksesshme.

Duke komplimentuar BQK-në për këtë ngjarje të madhe, Guvernatori i Bankës Qendrore të Turqisë z.Durmuş Yilmaz, është shprehur në favor të thellimit të bashkëpunimit midis dy bankave qendrore. Në prezantimin e tij, z.Yilmaz ka elaboruar përvojën specifike të Turqisë në sfidat të cilat dalin kur duhet përmbushur dy objektiva në të njëjtën kohë – stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar. Përvoja në uljen e inflacionit dhe zhvillimin makroekonomik si dhe përvoja në zgjidhjen e krizës bankare si ajo e vitit 2001 e kanë bërë Turqinë model që nuk del vetëm nga teoria që ofrojnë librat, por shumë më tepër nga vetë përvoja shumëvjeçare dhe inovacioni e kreativiteti i institucioneve në Turqi.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Ardian Fullani ka potencuar se kjo iniciativë e  BQK-së dëshmon për organizim, vizion të qartë të strukturave drejtuese dhe përkushtim të personelit për të zbatuar standardet më të mira të fushës. Guvernatori Fullani ka elaboruar detajisht mbi përvojën e Bankës së Shqipërisë në këtë fushë, ka qartësuar vetë definicionin e stabilitetit financiar dhe ka dhënë udhëzime mbi hapat që duhet ndjekur në të ardhmen lidhur me studimet në këtë fushë.

Një prezantim më i detajuar i tërë raportit është bërë nga ana e z.Arben Mustafa, drejtor i analizave ekonomike e financiare në BQK, ndërsa gjatë sintetizimit të të gjitha prezantimeve nga kjo ngjarje, z.Nexhat Kryeziu, Zëvendëguvernator për Mbikëqyrje Financiare ka veçuar se Kosova për dallim nga Shqipëria dhe Turqia ka një mbikëqyrje financiare të integruar si dhe ka nënvizuar rolin  e pazëvendësueshëm që rregullimi dhe mbikëqyrja financiare e kanë për stabilitetin financiar.