BQK PREZANTON RAPORTIN E STABILITETIT FINANCIAR TË KOSOVËS

Më 20 dhjetor 2010, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës prezanton Raportin e Stabilitetit Financiar të Kosovës. Krahas nikoqirit të kësaj ceremonie, z.Gani Gërguri, ushtrues detyre i Guvernatorit të BQK-së, në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Turqisë, z.Durmuş Yilmaz, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, Ministri në largim për Ekonomi dhe Financa, z.Ahmet Shala dhe mysafirë të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.
Ky Raport i Stabilitetit Financiar synon të informojë publikun e gjerë, profesionistët dhe autoritetet vendimmarrëse mbi zhvillimet në sektorin financiar, me fokus të veçantë në sektorin bankar, duke identifikuar brishtësitë dhe rreziqet që kërcënojnë stabilitetin e këtij sektori i cili edhe paraqet objektivin primar të këtij institucioni. Duke informuar publikun mbi gjendjen e sektorit financiar, BQK synon të ngritë transparencën dhe të nxitë debatin profesional mbi zhvillimet dhe sfidat e sektorit financiar të vendit tonë.
Raporti fillimisht trajton zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare ndërkombëtare, për të vazhduar me një analizë të zhvillimeve në ekonominë vendore. Pastaj, pasqyrohen karakteristikat e përgjithshme të sektorit financiar të Kosovës, ndërsa lidhur me qëndrueshmërinë dhe rreziqet potenciale të sektorit bankar, raporti trajton rrezikun kreditor, rrezikun e solvencës dhe të likuiditetit. Po ashtu, është prezantuar metodologjia dhe rezultatet e stres-testit për sektorin bankar të Kosovës, duke vlerësuar kështu aftësinë e sektorit bankar për të përballuar tronditjet eventuale. Një pjesë e raportit trajton zhvillimet në sektorët tjerë të sistemit financiar dhe ndërlidhjes së tyre me sektorin bankar si dhe  përmban katër artikuj tematik që trajtojnë segmente specifike, të ndërlidhura me sektorin bankar dhe ndërveprimin e tij me sektorët tjerë të ekonomisë.