Bejtush Kiçmari fiton çmimin prestigjioz “Olga Radzyner”

Bejtush Kiçmari punëtor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është fitues i çmimit prestigjioz “Olga Radzyner”, i cili për çdo vit ndahet nga Banka Nacionale e Austrisë për punimet më të mira shkencore në fushën e Integrimeve Ekonomike Evropiane. Vendet evropiane, si: Kosova, Shqipëria, Kroacia, Hungaria, Estonia, Polonia, Rumania, Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Sllovakia, Sllovenia, Bullgaria, Lituania, Letonia dhe Çekia kanë të drejtë pjesëmarrjeje.
Ky çmim padyshim është shumë i mirëseardhur jo vetëm për Bejtushin dhe BQK-në por edhe për shumë ekonomistë të tjerë të Kosovës të cilëve tani u janë hapur rrugët për pjesëmarrje në këtë dhe shumë gara të tjera ndërkombëtare. Z. Kiçmari me punimin e tij “Determinants of Foreign Direct Investment in South East European Countries (SEEC)” ishte i përzgjedhuri i jurisë së Bankës Nacionale të Austrisë.
Bejtushi tani është ftuar që më 15 dhe 16 nëntor të marrë pjesë në konferencën për Integrime Ekonomike Evropiane e cila mbahet në Vjenë, me ç’rast atij në ceremoninë e ndarjes së shpërblimit do t’i dorëzohet çmimi “Olga Radzyner” nga Guvernatori i Bankës Nacionale të Austrisë.
Vlen të theksohet se është hera e dytë që ky çmim ndahet për ekonomistët nga Kosova.