Vizita e Ministrit Stavileci te Guvernatori Rexhepi

Sot më 13 korrik 2010 guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. z. Hashim Rexhepi e ka vizituar ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Blerand Stavileci.
Guvernatori i BQK-së fillimisht falënderoi Ministrin Stavileci për gjetjen e kohës për vizitë, duke potencuar rëndësinë për rritjen e mundësisë për bashkëpunim të Ministrisë së Bujqësisë me BQK-në, por edhe me bankat komerciale të Kosovës, duke theksuar se ky sektor ka një pjesemarrje ende të vogël në portfolion e kredive të bankave komerciale. 
Në anën tjetër z. Stavileci tha se kishte kënaqësi që viziton BQK-në dhe shprehu gatishmërinë që të fillojnë kontakte më të shpeshta me këtë institucion relevant për Kosovën.
Ministri Stavileci, përshkroi punën e bërë nëpër terrene të ndryshme të Kosovës duke i shpalosur të arriturat por edhe sfidat me të cilat përballet ky sektor. Gjithashtu z. Stavileci ceku se ministria do të punojë në drejtim të gjetjes së formave për mbështetjen më të fuqishme të bujqësisë. 
Edhe Guvernatori Rexhepi edhe Ministri Stavileci u dakorduan se është e domosdoshme që të kenë një angazhim më të madh në përpilimin e strategjive zhvillimore të këtyre sektorëve e më pas edhe prezantimet e tyre para bankave komerciale.
Që të dy drejtuesit e institucioneve përkatëse theksuan edhe mundësitë e thithjes së fondeve të ndryshme nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe atyre të komisionit evropian për të mbështetur sektorin privat të bujqësisë, në veçanti të bizneseve të suksesshme në industrinë përpunuese ushqimore.
Në fund edhe Ministri Stavileci edhe Guvernatori Rexhepi ishin shumë të kënaqur me takim e sotëm dhe që të dy shprehën gatishmërinë për mbajtjen e takimeve tjera.