Takim i Guvernatorit Rexhepi me Kryetarin e Kuvendit z. Krasniqi për Raport vjetor 2009

Sot Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Hashim Rexhepi me delegacionin e tij ka vizituar Kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi për ta njoftuar me Raportin vjetor 2009 si dhe zhvillimet e përgjithshme në BQK.
Guvernatori Rexhepi pasi falënderoi Kryekuvendarin për kohën e gjetur për takim, e njoftoi me zhvillimet e fundit në sistemin financiar në përgjithësi dhe në veçanti për Raportin vjetor 2009.
Guvernatori në fillim të njoftimit tha se konsideron se viti që lamë pas, edhe pse ambienti nën të cilin është vepruar dhe punuar ka qenë nën ndikim të krizës globale, ka qenë vit i suksesshëm në përmbushjen e planit tonë. Zhvillimet e vitit 2009 si dhe plani i punës pra mund të konsiderohet se kanë qenë pozitive.
Zhvillet në sektorin financiar përkundër trendeve më të ngadalshme të rritjes krahasuar me vitin paraprak, mund të thuhet se ka qenë i moderuar. Kemi pasur rritje të depozitave por edhe të kreditimit. Ndërsa sa i përket sektorit real, vetëm në Kosovës dhe Shqipëri ka pasur trende pozitive përgjatë vitit 2009.
Guvernatori gjithashtu njoftoi Kryetarin e Kuvendit se muajt e fundit, sipas informatave të fundit, remitancat kanë pas një rritje prej 2-3% krahasuar me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar. Sa i përket inflacionit,  ky vit përkundër deflacionit të vitit të kaluar, konsiderohet se do të jetë me inflacion prej 2 deri në 3%.
Të dhënat tjera të cilat Guvernatori i shpalosi tek Kryetari i Kuvendit kishin të bënin me legjislacion. Jemi në procedim të shumë ligjeve në mënyrë paralele, si: Ligji i BQK-së, i cili shumë shpejt  pritet të shqyrtohet nga Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Ligji për sigurimet e detyrueshme, Ligji për sigurimet e përgjithshme, Ligji për bankat dhe në vitin e ardhshëm pritet të shqyrtohet edhe Ligji për pagesa.
Në fund Guvernatori falënderoi Kryetarin për kohën e gjetur për shpalosje të këtyre të dhënave me rëndësi për ekonominë dhe për BQK-në në përgjithësi, duke e ftuar z. Krasniqi që ta vizitoi Bankën Qendrore në momentin kur ta ketë mundësinë.
Kryetari Krasniqi pasi falënderoi Guvernatorin Rexhepi për të gjitha informatat e dhëna, tha se një vizitë në  një institucion të rëndësishëm siç është BQK-ja është padyshim e nevojshme, dhe se në momentin më të përshtatshëm edhe do ta vizitoi BQK-në.