Trajnimi për mbrojtjen nga paratë e falsifikuara

Në vazhdën e marrëdhënieve të bashkëpunimit reciprok ndërmjet Policisë së Kosovës (PK) dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), më tutje me qëllim të sigurimit të mbrojtjes se parasë kundër falsifikimit në Republikën e Kosovës, Komiteti (i themeluar me 11 Shtator 2009) Qendror i Analizave të Parave të Falsifikuara në Republikën e Kosovës më 29 qershor 2010 organizoj një program trajnimi për mbrojtjen nga paratë e falsifikuara, program ky i dizajnuar për stafin e zgjedhur të institucioneve financiare që ofrojnë shërbime me para të gatshme në Republikën e Kosovës. Trajnimi u organizua në ndërtesën e BQK-së.

Hapjen e programit e bëri zëvendësguvernatori i BQK-së z. Gani Gërguri i cili mes të tjerash potencoj rëndësinë e madhe që ka ky program në mbrojtjen nga paratë e falsifikuara si dhe përpjekjet dhe angazhimet e vazhdueshme që ndërmerr Policia e Kosovës dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në këtë fushë.

Më tutje fjalën e mori Drejtori i Drejtoratit për Operacione me para të gatshme dhe pagesa pranë BQK-së z. Jeton Bajramaj i cili shpjegoj rolin e BQK-së si autoritet mbikëqyrës i institucioneve financiare në nxjerrjen e rregullave dhe udhëzimeve që kanë për qëllim ruajtjen e integritetit te Euros, udhëzime këto të cilat u adresohet të gjitha institucioneve financiare që veprojnë në Republikën e Kosovës dhe që janë të licencuara nga BQK-ja. Më tutje z. Bajramaj shpjegoj masat që ndërmerr BQK-ja me qëllim të shmangies së kartëmonedhave dhe monedhave të falsifikuara euro nga qarkullimi si dhe rolin dhe funksionimin e Komitetit Qendror të Analizave të Parave të Falsifikuara në Republikën e Kosovës.

Aspektet  ligjore dhe procedurale që kanë të bëjnë me tërheqjen e parave të falsifikuara nga qarkullimi u shpjeguan më tutje nga Udhëheqësi i Sektorit kundër parasë së falsifikuar në kuadër të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës z. Blerim Sylejmani. Ndër të tjera z. Sylejmani sqaroj rolin e Sektorit të hetimit të parasë se falsifikuar dhe procedurat e veprimit nga institucionet financiare ne rastet e paraqitjes se parave te dyshuara si te falsifikuara. Me tutje z. Sylejmani paraqiti edhe gjendjen e rasteve te parave te dyshuara si te falsifikuara te raportuara ne Policinë e Kosovës gjatë vitin 2009 dhe rastet e raportuara në vitin aktual.

Ligjërues kryesor në këtë program ishte z. Bekim Bajrami, Shef i sektorit te dokumenteve dhe dorëshkrimeve pranë Laboratorit Qendror të Kriminalistikës (DPPK) në Policinë e Kosovës.

Në këtë program një ditor, mbi 70 pjesëmarrës nga institucione të ndryshme financiare që operojnë në Kosovë si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë njohur për së afërmi me veçoritë origjinale të kartëmonedhave në euro, dollarë dhe funta si dhe me aspekte të teknikave të ndryshme si tradicionale ashtu edhe elektronike të falsifikimit të këtyre kartëmonedhave dhe monedhave si dhe masat që duhet të ndërmerren nga këta të fundit për mbrojtje nga paratë e falsifikuara.