Ambasadori austriak vizitoi BQK-në

Sot ambasadori austriak dr. Walter Maria Stojan vizitoi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës me ç’rast u takua me Guvernatorin Rexhepi, me të cilin shkëmbeu informata të ndryshme me theks të veçantë në bashkëpunimin e Kosovës me Austrinë.
Fillimisht Guvernatori Rexhepi falënderoi Ambasadorin Walter për vizitën e tij në BQK, duke shtuar se Austria si një vend mik i Kosovës, në vazhdimësi ka qenë përkrahëse e zhvillimeve të gjithmbarshme të Kosovës e në veçanti në aspektin ekonomik. Guvernatori Rexhepi duke u fokusuar në ndihmën që shteti austriak i ka dhënë sistemit financiar, potencoi rëndësinë e bankës austriake Raiffeisenbank Bank dhe rolit të saj zhvillues në sistemin bankar, si dhe të tri kompanive të sigurimit që po ashtu kanë ndikim jo vetëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës por edhe në përmirësimin e proceseve të saj.
Guvernatori në fund kërkoi nga z. Walter që t’i ketë parasysh edhe dy çështje të cilat aktualisht sjellin probleme mjaft të mëdha për Kosovën, në të cilën roli i shtetit austriak mund të jetë me shumë ndikim, fjala është për anëtarësimin e Kosovës në SWIFT dhe në Byronë e Kartonit të Gjelbër.
Z. Walter pasi që iu falënderua Guvernatorit për pritje theksoi se Austria si vend që ka qenë vazhdimisht i inkuadruar në rrjedhat ekonomike të këtij rajoni theksoi se, Austria ka qenë një ndër vendet e para që ka njohur shtetin e ri të Kosovës duke cekur se kjo shtetësi kur nuk do të ketë kthim prapa dhe se Austria gjithmonë do ta përkrah Kosovën. Ambasadori Walter gjithashtu nënvizoi se rajoni i Evropës Juglindore është një vend shumë i përshtatshëm për investimet e huaja duke vënë theksin edhe në Kosovë për të vazhduar me konstatimin se ky rajon nuk është i përshtatshëm për investime vetëm në letër por është vend, i cili me të vërtet sjell leverdi për të gjithë investitorët e huaj, duke shtuar se Austria është shembull konkret për këtë çështje. Ai gjithashtu tha se Austria  është vend që ua  ka hap rrugët edhe vendeve tjera për intvestim direkt në Kosovë.
Në fund Ambasadori Walter theksoi se do të bëjë atë çka është në kompetencat e tij, që Kosova të jetë anëtare e SWIFT-it dhe Byrosë së Kartonit të Gjelbër.
Të dy personalitet në takim u shprehën të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm duke besuar fuqishëm që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje.