Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, me delegacionin e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Hashim Rexhepi

Ditën e sotme, në datë 5 maj 2008, një delegacion i Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës (AQBK), i kryesuar nga z. Hashim Rexhepi, Drejtor i Përgjithshëm, në përbërje të të cilit ishin edhe z. Gazmend Luboteni, Kryetar i Bordit Drejtues dhe z. Agron Dida, Inspektor i Përgjithshëm, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bankën e Shqipërisë, ku u prit në një takim nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe nga z. Fatos Ibrahimi, Zëvendësguvernator i Parë i Bankës së Shqipërisë.

Në fjalën e tij në fillim të takimit, Guvernatori Fullani i uroi mirëseardhjen delegacionit kosovar si dhe gjeti rastin për të shprehur vlerësimin për kapacitetet mjaft të mira administrative të AQBK-së, të cilat do të mundësojnë transformimin e plotë të këtij institucioni në një bankë të mirëfilltë qendrore. Në të njëjtën kohë, Guvernatori Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë gjithnjë e gatshme për të ofruar të gjithë mbështetjen dhe ekspertizën e nevojshme për AQBK-në si dhe shprehu bindjen se forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit teknik do të sjellë përfitime për të dy institucionet.

Takimi vazhdoi me fjalën e z. Rexhepi, i cili shprehu kënaqësinë tij të veçantë që vizitën e parë zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm i AQBK-së e zhvillon në Bankën e  Shqipërisë. Në vijim, z. Rexhepi paraqiti punën e bërë nga ana e AQBK-së në drejtim të krijimit të kuadrit të nevojshëm ligjor dhe operacional me qëllim përgatitjen e funksionimit të AQBK-së si një bankë e mirëfilltë qendrore me hyrjen të fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në datën 15 qershor 2008. Z. Rexhepi vuri theksin në faktin që struktura udhëheqëse e AQBK-së mbetet e vetëdijshme për rolin mjaft të rëndësishëm të bankës qendrore në zhvillimin ekonomik të Kosovës si dhe rreth sfidave që e presin këtë institucion në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, z. Rexhepi shprehu mbështetjen e tij të plotë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

Nga ana e tij, z. Luboteni shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga ana e Bankës së Shqipërisë për AQBK-në si dhe vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit teknik në fushën mbikëqyrjes bankare dhe të fuqizimit të burimeve njerëzore si dhe në rëndësinë e ofrimit të ekspertizës teknike nga  Banka e Shqipërisë veçanërisht në lidhje me ato kompetenca të reja që do të fitohen nga AQBK-ja pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Z. Luboteni gjithashtu kërkoi mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në lidhje me përfshirjen e AQBK-së në rrjetet e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet bankave qendrore, ku nga ana e tij, Guvernatori Fullani siguroi delegacionin kosovar për bashkëpunimin e plotë të Bankës së Shqipërisë në këtë proces.

Takimi vijoi me diskutimin dhe shkëmbimin e mendimeve në lidhje me funksionimin e sistemeve financiare respektive, në përgjithësi dhe atyre bankare, në veçanti, me një fokus të veçantë në mbikëqyrjen e kujdesshme të aktorëve të tregut financiar dhe në sigurimin e stabilitetit financiar në të dy vendet.
(Marrë nga Departamenti i Marrëdhënieve me jashtë, integrimit evropian dhe komunikimit në Banken e Shqiperisë)