Takim i Drejtorit të Përgjithshëm të AQBK-së me Drejtorët e Kompanive të Sigurimeve

Sot më 29 maj 2008 në ndërtesën e Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës është mbajtur takimi i radhës me të gjitha Kompanitë e Sigurimeve të Kosovës. Ky takim, për dallim prej takimeve tjera kishte karakter informativ me përqendrim në vetëm dy pika:

  • Praktikat e këqija. Në këtë pikë Drejtori i Përgjithshëm i AQBK-së z. Hashim Rexhepi nënvizoj praktikat e këqija që janë duke u përdorur nga Kompanitë e Sigurimeve në lidhje me uljen e tarifave të sigurimeve për të cilat vetë drejtorët e Kompanive të Sigurimeve kanë propozuar pranë AQBK-së dhe për të cilat ky autoritet ka aprovuar propozimin në fjalë. Ndërsa në anën tjetër tarifat sa vinë e ulen.
    Për këtë arsye z. Rexhepi për të theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjit i cili tani më veç është në fuqi ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e këtyre praktikave duke u a dorëzuar dënimet kompanive të cilat kanë bërë shkelje të tilla. Për më tepër Drejtori i Përgjithshëm i AQBK-së shumë shpejt do ta nis një letër drejtuar të gjitha Kompanive të Sigurimeve me vërejtjet e fundit për eliminimin e këtyre praktikave të këqija.
  • Afarizmi dhe përgjegjësitë ndaj tregut dhe riskut të sigurimeve. Drejtori i Përgjithshëm në fillim të elaborimit të kësaj pike ua përkujtoj të pranishmëve se arsyeja e ekzistimit të Kompanive të Sigurimeve është pagesa e dëmeve brenda afatit duke nënvizuar se situata ndryshon nga njëra kompani tek tjetra.Gjithashtu z. Rexhepi potencoi detyrimin e Kompanive të Sigurimeve ndaj riskut sigurues në pajtim me ligjin dhe rregulloret në fuqi si dhe përmbushjen e obligimeve ndaj dëmeve brenda afateve të parapara në këtë ligj.  Në fund të kësaj pike është kërkuar nga të pranishmit që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për përmirësimin e kësaj gjendjeje dhe eliminimin e dukurive negative që mund ta vënë në pozitë jo të kënaqshme klientin, ndërsa Kompaninë e Sigurimeve në rrezik.