Trajnim në identifikimin e tipareve të sigurisë së kartëmonedhave në euro dhe në dollarë

Në vazhdën e ngritjes së njohurive të operuesve me para të gatshme për mbrojtje nga kartëmonedhat falso, është mbajtur programi trajnues dyditor i organizuar nga ana e Policisë së Kosovës dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Ky program është pjesë e përpjekjeve të shtuara e të përbashkëta që ndërmarrin Policia e Kosovës dhe BQK-ja në ruajtjen e integritetit të kartëmonedhës euro”, ka thënë midis tjerash z. Gani Gërguri, zëvendësguvernator i BQK-së, me rastin e hapjes së këtij trajnimi.

Në ditën e parë të programit, 35 pjesëmarrës nga institucione të ndryshme financiare që operojnë në Kosovë, janë njohur me veçoritë origjinale të kartëmonedhave në euro dhe në dollarë si dhe me aspekte të teknikave të ndryshme si tradicionale ashtu edhe elektronike të falsifikimit të këtyre kartëmonedhave. Në ditën e dytë, pjesëmarrësit kanë pasur rastin që të demonstrojnë në praktikë aspekte të identifikimit dhe verifikimit të kartëmonedhave në euro dhe në dollarë.

Ligjërues kryesor në këtë program ishte z. Bekim Bajrami, ekspert i dokumenteve të kontestuara pranë Laboratorit Qendror të Kriminalistikës (DPPK) në Policinë e Kosovës.

Në përfundim të programit, z.Ibrahim Likaj, zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës, bëri shpërndarjen e certifikatave zyrtare.