Përfaqesim i suksesshëm e delegacionit të Kosovës në takimet e pranverës në FMN

Delegacioni i Republikës së Kosovës në përbërje nga: z.Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave dhe z.Hashim Rexhepi, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë takimeve pranverore të FMN-së ka realizuar disa takime me zyrtarë të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si me zv.drejtorin menaxherial të FMN-së, z.Murilo Portugal, me drejtorë ekzekutivë të shumë shteteve anëtare të FMN-së, si dhe me zyrtarë nga Banka Botërore. Takime tjera u zhvilluan me z.Shigeo Katsu, zv.president i Bankës Botore për Euroazi, Stu Jones, zyrtar nga Departamenti i Shtetit,.Alonzo L. Fulgham dhe Ken Yamashita, zyrtarë të USAID-it .

Gjithashtu realizuan takime me Eric Meyer,zyrtar i Thesarit Amerikan, me përfaqësues të lartë nga Zyra Ekzekutive e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Delegacioni kosovarë ka zhvilluar takime të ndara edhe me ministrin e Financave të Sllovenisë, z. Franc Krizanic dhe ministrin e Financave të Malit të Zi , z.Igor Luksic. Temë qendrore gjatë këtyre takimeve ishte anëtarësimi i Kosovës në FMN përkatësisht mbështetja e këtij procesi nga ana e institucioneve dhe zyrtarëve me të cilët delegacioni kosovarë ka pasur takime.

Poashtu në këto takime janë diskutuar edhe çështje tjera specifike  të karakterit ekonomik  me qëllim të  rritjes së bashkëpunimit dhe mbështetjes shumëdimensionale nga institucionet e përmendura më lartë. Gjatë takimeve dyditore në Fondin Monetar për takimet vjetore pranverore, më 25 dhe 26 prill 2009, Ambasada e Republikës së Kosovës në Amerikë së bashku me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës realizuan një fushatë sensibilizuese për anëtarësimin e Kosovës në FMN. Me këtë rast është bërë e mundur që anëtarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në takimet e  FMN-së , t’u shpërndahen broshura, përmbajtja e të cilave do t’i njoftonte ata rreth zhvillimeve më të reja në  Kosovë , para se të marrin  vendim  gjatë procesit të votimit për anëtarësimin e Kosovës në FMN.

Delegacioni kosovar është kthyer në Kosovë më 29 prill, pa dashur të paragjykoj rezultatin përfundimtar të votimit, i bindur që procesi i votimit për  anëtarësimin e Kosovës në FMN do të mbyllet me sukses dhe do të përfundojë më 5 maj të këtij viti. Ndërkohë në Uashington është  duke qëndruar përfaqësuesi i palës kosovare i cili është duke përcjellë nga afër procesin e votimit që do përfundojë më 5 maj të këtij viti. Pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në këto takime ka zgjuar vëmendjen e shumë medieve prestigjioze ndërkombëtare si dhe atyre vendore.