Guvernatori Rexhepi priti Drejtorin Ekzekutiv të FMN-së z. Age Bakker

Drejtori Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Age Bakker , gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, është pritur në një takim nga guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës z. Hashim Rexhepi.

Gjatë takimit guvernatori z.Rexhepi falënderoi z.Bakker për ndihmë dhe mbështetje të vazhdueshme që FMN-ja, i ka dhënë në forma të ndryshme Bankës Qendrore, si dhe u zotua se ky bashkëpunim në këtë periudhë mjaft të rëndësishme për Kosovën , pas anëtarësimit të saj në FMN, si anëtari më i ri i kësaj organizate , do të thellohet edhe më tej. Guvernatori , me theks të veçantë u ndal tek zhvillimet në sistemin bankar të Kosovës, sistem ky mjaft i konsoliduar dhe ia bëri më dije z.Bakker, se BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat për ta forcuar edhe më tej mbikëqyrjen bankare .Guvernatori, po ashtu njoftoi z.Bakker edhe për punën që po bën BQK-ja , për të harmonizuar legjislacionin e BQK-së, me legjislacionet e bankave simotra në botë.

BQK-ja, në bashkëpunim me ekspertët e FMN-së dhe Bankës Botërore, është duke punuar drejt përshtatjes dhe harmonizimit të ligjeve si : Ligjin për Bankën Qendrore, Ligjin për Pensione dhe Ligjin për Sigurime.
Po ashtu guvernatori shprehu besimin e tij se BQK-ja, do të thellojë bashkëpunimin e mëtejmë me FMN-në ,institucion nga i cili presim që ta mbështesë Kosovën , përkatësisht ekonominë e Kosovës në projektet e ndryshme që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit . Ndërsa z. Bakker tha se gjatë takimeve të sotme që ka zhvilluar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës është interesuar që të njihet nga afër me gjendjen e ekonomisë së Kosovës. Ai po ashtu u shpreh se duhet të ruhet pavarësia e Bankës Qendrore dhe shprehu besimin e tij se edhe legjislacioni aktual por edhe ai që është në harmonizim e sipër do të ketë për bazë këtë element mjaft të rëndësishëm..Në këtë takim mori pjesë edhe menaxhmenti i lartë i BQK-së .