Statistikat monetare dhe financiare të Kosovës publikohen në FMN

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës publikon statistikat monetare dhe financiare në FMN, menjëherë pas anëtarësimit në këtë institucion

Angazhimi i vazhdueshëm dhjetëvjeçar i BQK-së në fushën e statistikave monetare dhe financiare u kurorëzua me akceptimin dhe publikimin zyrtar të këtyre statistikave në publikimin e rregullt të Fondit Monetar Ndërkombëtar - Statistikat Financiare Ndërkombëtare (‘Internatianal Financial Statistics’), duke filluar që nga muaji gusht 2009. Këto statistika janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të përpilimit dhe shpërndarjes së informacionit statistikorë dhe paraqesin një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës së statistikave ekonomike në Kosovë.

I gjithë ky sukses është rezultat i një vizioni të qartë, rekrutimit të stafit profesional, punës ekipore dhe shfrytëzimit efikas të asistencës teknike që i është ofruar BQK-së nga FMN-ja, ka nënvizuar me këtë rast Gani Gërguri, zëvendësguvernator i BQK-së. Vitet e para të aktivitetit statistikor në këtë fushë karakterizoheshin me përpilimin e statistikave mbi sistemin bankar në një format relativisht të thjeshtë.

Në periudhën 2004-2005 u lancuan dhe implementuan dy projekte të rëndësishme për përpilimin e statistikave monetare dhe financiare: Raporti Statistikor Bankar dhe Raporti mbi Normat e Kamatës, përfshirë këtu edhe zhvillimin e softuerit origjinal i cili kontribuoi në rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të procesit të përpilimit të këtyre statistikave. Në këtë periudhë, në gamën e statistikave të prodhuara u përfshinë edhe statistikat mbi korporatat tjera financiare (kompanitë e sigurimeve, fondet pensionale, institucionet mikrofinanciare, etj.), duke mbuluar kështu gjithë sektorin financiar, karakteristikë kjo tash për tash vetëm e vendeve me sisteme të avancuara statistikore. Krahas suksesit të lartë në statistikat monetare-financiare, BQK aktualisht është e përkushtuar të sigurojë një cilësi të lartë edhe në fushën e statistikave të bilancit të pagesave të Kosovës.