Lansohet Skema e Debitimit Direkt si Mënyrë e Re e Kryerjes së Pagesave Pa Para të Gatshme

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha bankat komerciale vendore si dhe me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës (PTK) dhe Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal (KUR) Prishtina ka lansuar skemën e pagesave të debitimit direkt. Ky projekt është zhvilluar dhe sendërtuar gjatë dy viteve të fundit. Në dhjetor të vitit të kaluar u nxor rregulla përkatëse e BQK-së që përcakton parimet dhe kërkesat bazë në lidhje me funksionimin e skemës së debitimit direkt, ndërsa zgjidhja softuerike është instaluar në janar të këtij viti si komponent i veçantë në Sistemin Elektronik të Kliringut Ndërbankar (SEKN). Lansimi i kësaj skeme shënon një arritje me rëndësi në zhvillimin e sistemit kombëtar të pagesave.

Me anë të skemës së debitimit direkt ofrohet një mundësi e avancuar e kryerjes së pagesave periodike pa para të gatshme. Skema në tërësi karakterizohet me standardizim dhe automatizim të lartë. Pagesat periodike që mund të kryhen përmes kësaj skeme kanë të bëjnë në radhë të parë me shërbimet e rregullta të lidhura me objekte banimi apo pune si furnizimi me energji elektrike, furnizimi me ujë, telefonia, ngrohja, mirëmbajtja etj. Shërbimet e këtilla përmes skemës së debitimit direkt mund të paguhen në një mënyrë fare të lehtë për qytetarët dhe organizatat që i shfrytëzojnë ato. Me kontraktim të njëhershëm paraprak me kompaninë shërbyese përkatëse, qytetari apo organizata mund të realizojë, çdo muaj në datën e caktuar, pagimin automatik nga llogaria e vet bankare pa autorizim të ri të kompanisë shërbyese apo të bankës së vet ose të bankës së kompanisë shërbyese.

Përparësitë do të jenë të dukshme edhe në anën e kompanive pjesëmarrëse në këtë skemë. Do të automatizohen konsiderueshëm si proceset e faturimit ashtu edhe ato të arkëtimit. Pos kompanive të lartpërmendura, pjesëmarrëse në këtë skemë priten të jenë edhe një numër i kompanive të tjera në mbarë Kosovën.