Fjalimi i Guvernatorit me rastin e shënimit të 10 vjetorit të BQK-së

I nderuari President i Republikës së Kosovës,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës,
I nderuari Kryeministër,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar kolegë dhe mysafirë,

Kam kënaqësinë e veçantë t’ju dëshiroj mirëseardhje në festimin e 10 vjetorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Dhjetë vite mund të paraqesin një periudhë relativisht të shkurtër kohore për një vend, por për Kosovën këto dhjetë vite e përbëjnë kapitullin më të rëndësishëm të historisë së saj, gjatë së cilës është kompletuar korniza institucionale për funksionimin normal të shtetit.

Sot, jam krenar që drejtoj Bankën Qendrore, e cila brenda një dekade është ndërtuar në një institucion të fuqishëm dhe është bërë ndër promotorët kryesor të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Ka pasur mjaft momente kthesash të rëndësishme të cilat kanë përcaktuar rrugën e zhvillimit të Bankës Qendrore dhe të sistemit financiar të Kosovës.

Shumë vendime të rëndësishme janë marrë gjatë dhjetë viteve të fundit, që nga krijimi i strukturave qeverisëse të Bankës Qendrore, furnizimi me para të gatshme, krijimi i bazës së një sektori financiar modern, e deri te fillimi i negociatave që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Sidoqoftë, një prej momenteve më të rëndësishme padyshim ishte vendimi që marka gjermane të bëhej monedhë zyrtare brenda kufijve të Republikës së sotme të pavarur të Kosovës.

Në vitin 2002, BQK-ja me sukses ka menaxhuar procesin e kalimit nga marka gjermane në euro dhe sot euro përfaqëson një vulë të stabilitetit dhe zhvillimit të ekonomisë së Kosovës, edhe pse disa mund ta vënë në pyetje rolin e saj në mbështetjen e kornizës makroekonomike. Euro dukshëm kontribuoi në krijimin e një ambienti të besueshëm për ushtrimin e aktivitetit të biznesit në Kosovë, përfshirë aktivitetet e ndërmjetësimit financiar.

Përkundër faktit, se nuk bën pjesë në EUROSISTEM, Kosova përfiton nga stabiliteti monetar i eurozonës. Padyshim, ky stabilitet është një pasuri e madhe e Kosovës për të lëvizur drejt Evropës.

Nëse shikojmë prapa, vendimi për krijimin e Bankës Qendrore ishte vizionar, i cili u përkrah fuqishëm edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në zhvillimin e saj Banka Qendrore që nga fillimi kishte mbështetjen e fuqishme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, USAID-it dhe Bankës Botërore .

Në tetë vitet e para, drejtorët menaxhues të Bankës Qendrore janë emëruar dhe financuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Është kënaqësi e madhe për mua që sot,në këtë auditorium mund të mirëpres dhe përshëndes shumicën prej tyre.

Ata ndihmuan në sigurimin e ekspertizës dhe kështu ne kemi qenë në gjendje të punojmë dhe të mësojmë nga përvoja e bankave qendrore në mënyrë që, sot Banka Qendrore e Kosovës të jetë po aq efektive, sikurse bankat e tjera qendrore.

Unë po e shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj të gjithë ata për përkushtimin e treguar në ndërtimin e Bankës sonë Qendrore së bashku me ne.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, ne i kemi dëshmuar vetes dhe komunitetit ndërkombëtar se mund ta drejtojmë institucionin tonë në mënyrë të besueshme, të suksesshme dhe të përgjegjshme. Ndjehem krenar për arritjet gjatë këtyre viteve dhe në veçanti për anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore anëtarësime këto të cilat u realizuan në maj të këtij viti.

Njohja nga institucione të tilla të rëndësishme ndërkombëtare financiare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, janë prova bindëse se jemi duke bërë punë të mirë.

Potenciali ynë do të shfrytëzohet plotësisht për të mbështetur integrimin e mëtejshëm të Republikës së Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë zhvilluar në mënyrë të shpejtë dhe efektive që nga pavarësimi i vendit.

Ekziston një ndjesi e theksuar e bashkëpunimit dhe e përpjekjeve të përbashkëta në mes të institucioneve tona, për të vënë ekonominë e Kosovës në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Duke qenë shteti më i ri në botë, kemi privilegjin për të mësuar nga përvojat e vendeve të tjera që i përshtaten karakteristikave të ekonomisë sonë. Republika e Kosovës ka potenciale që të zhvillohet edhe me fuqishëm.

Është përgjegjësi e jona e përbashkët, krahas mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritje të standardit të jetesës për qytetaret tanë, si rrugë më e sigurt drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

Sot, Banka Qendrore ndërton sigurinë dhe besueshmërinë ndaj ekonomisë dhe publikut të Kosovës mbi katër shtyllat e përgjegjësive të saj. Së pari, ne jemi rregullator financiar dhe kujdesemi për funksionimin e duhur të sistemit financiar dhe për sigurimin e stabilitetit financiar të ekonomisë sonë. Së dyti, ne udhëheqim dhe sigurojmë sistem të qëndrueshëm dhe efektiv të pagesave. Së treti, ne veprojmë si agjent fiskal për Qeverinë.

Së fundi, ne hartojmë dhe publikojmë analiza ekonomike dhe financiare,si dhe i ofrojmë këshilla ekonomike Qeverisë dhe përgatisim statistika të besueshme monetare, financiare dhe bilancit të pagesave.

Në kohën kur ekonomia botërore po përballet me një nga krizat ekonomike më të vështira dhe më shkatërruese në histori, ekonomia e Kosovës duket të jetë e izoluar në një farë mase nga këto zhvillime në ekonominë botërore.

Kjo është rezultat i përfshirjes së vogël të ekonomisë së Kosovës në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, parashikimet e rritjes ekonomike për vitin 2009 janë më të ulëta krahasuar me vitin paraprak, duke sugjeruar një normë rritjeje rreth 4% për qind të GDP-së, në krahasim me 5,4 për qind sa ishte në vitin 2008, e cila sidoqoftë është pozitive. Edhe sektori financiar ka vazhduar të funksionojë normalisht dhe të shënojë rritje edhe në këtë kohë krizë.

Ky fleksibilitet i sektorit bankar në masë të madhe pasqyron angazhimin e fuqishëm të Bankës Qendrore për të ruajtur maturinë dhe stabilitetin e institucioneve financiare. Megjithatë, Banka Qendrore së bashku me Qeverinë e Kosovës ishin aktive në ndërmarrjen e masave të nevojshme për të absorbuar tronditjet e mundshme nga ndikimet e krizës globale që mund ta godisnin sistemin financiar dhe ekonominë tonë.

Kështu, në tremujorin e parë të vitit 2009, Banka Qendrore, Ministria për Ekonomi dhe Financa dhe Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Buxhet dhe Financa nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit për stabilitet financiar dhe themeluam Komisionin kombëtarë për stabilitet financiar.

Në kapacitetin e mbikëqyrësit financiar në vitin 2008, Banka Qendrore ka vazhduar që t’i përvetësojë praktikat e matura mbikëqyrëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në mbikëqyrjen e sektorit bankar dhe të industrisë së sigurimeve.

Në lidhje me këtë, BQK-ja ka ushtruar praktikat më të mira të mbikëqyrjes, ka ndërmarrë masa të matura në sistemin financiar, dhe në mënyrë sistematike ka zbatuar rekomandimet e organizatave financiare ndërkombëtare dhe homologëve të jashtëm.

Qëllimi ynë është të vazhdojmë punën tonë në mbikëqyrjen e matur të sistemit financiar, në mënyrë që të ruajmë stabilitetin financiar dhe të kontribuojmë në zhvillimin ekonominë ne tërësi.

Gjatë këtyre viteve, ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë dhe profesional me institucionet mbikëqyrëse amë të të gjitha bankave dhe kompanive të sigurimeve me pronësi të huaj që veprojnë në Kosovë.

Mjedisi i qëndrueshëm dhe promovues për investime në Kosovë ka rezultuar me një rritje të vazhdueshme të numrit të institucioneve ndërkombëtare financiare që veprojnë në Kosovë dhe vazhdon interesimi për hyrje të reja në këtë sektor, që ndikon pozitivisht në rritjen e nivelit të konkurrencës në këtë treg.

Si rezultat, ne jemi dëshmitarë të një rritjeje të vazhdueshme të produkteve dhe instrumenteve financiare që janë të pranishme në treg, ndërsa kostoja e ndërmjetësimit vazhdimisht po përmirësohet.

Aktualisht në Kosovë operojnë 8 banka komerciale, 11 kompani të sigurimeve, 2 fonde pensionale, 19 institucione mikrofinanciare, 21 zyra të këmbimit valutor, 5 agjenci për transferim të parave. Krahasuar me mesataret në rajon, sektori financiar i Republikës së Kosovës është akoma më i vogël.

Megjithatë, ngadalë, por në mënyrë të sigurt jemi duke tejkaluar hendekun edhe në nivelin e zhvillimit të sektorit financiar.
Aq sa krenohemi me të arriturat, po aq jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe mundësit e reja që na presin.

Ligji i ri për Bankën Qendrore është në procedurë në Parlament, dhe pritet që ta rregullojë institucionin tonë në mënyrë më moderne dhe ta bëjë edhe më efektiv.

Në procedurë është edhe Ligji për Borxhin Publik që do të krijojë mundësitë për zhvillimin e tregut të kapitalit. Po ashtu, Ligji për Sigurimin e Depozitave do të rritë sigurinë dhe besimin e depozitarëve në bankat e Kosovës. Integrimi i Kosovës në ekonominë rajonale, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, siç janë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Shoqëria për Telekomunikim Botëror Financiar Ndërbankar (SWIFT) dhe Byroja e Kartonit Jeshil, janë prioritete dhe përgjegjësi të reja para BQK-së. Të gjitha këto sfida dëshmojnë se ne kemi edhe shumë punë për të bërë.

Së fundi, u jam mirënjohës që keni ardhur sot në numër kaq të madh për të festuar me ne Mënyra më e mirë për të festuar një ngjarje të tillë të rëndësishme është që të punojmë së bashku dhe të shkëmbejmë idetë lidhur me temat që janë paraparë për t’u diskutuar sot.

Është detyrë e jona për të menduar dhe për të gjetur mënyrat më të mira që sistemi ynë financiar dhe ekonomia në tërësi, të funksionojnë në mënyrë efektive dhe të suksesshme.

Banka Qendrore e Kosovës, gjatë gjithë këtyre viteve ka dëshmuar se është institucion serioz, i sigurt dhe i besueshëm. Prandaj, ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur për të festuar arritjet tona dhe për të diskutuar sfidat, e njëkohësisht dëshiroj edhe njëherë t’iu falënderoj për kontributin tuaj në ndërtimin e kapaciteteve të një banke qendrore moderne siç është Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

Ju faleminderit